Vlora është ndalesa më e veçantë për një grup studentësh ndërkombëtarë që ndjekin një program master në Filozofi Sporti dhe Menaxhim Sportiv, i cili zhvillohet në 5 vende dhe në 5 universitete të ndryshme gjatë dy viteve.
Yuuna Ishimoto nga Japonia dhe Thai Nguyen Le nga Vietnami, së bashku me dy mikeshat e tyre nga Portugalia dhe Franca, janë pjesë e këtij programi unik që përfshin lëndë si Etika në Sport, që trajton tema si korrupsioni, siguria, politika, ligji dhe bioetika në sport.
Gjatë udhëtimit të tyre veror, ato kanë kaluar nëpër Austri, Slloveni, Kroaci, Bosnje, Mal të Zi, dhe kanë ndaluar në Vlorë përpara se të vazhdojnë drejt Greqisë.
Çfarë i bëri përshtypje vajzave në Vlorë? Kafenetë!
Jo vetëm për shijen dhe atmosferën, por edhe si hapësira ideale për të punuar dhe dorëzuar detyrat e universitetit ndërsa janë në rrugëtim.
"Nuk e prisnim që Vlora të kishte kaq shumë mundësi për të studiuar në qetësi, me kafe të mirë dhe internet të shpejtë!" – thonë ato me entuziazëm.
Vlora përmes syve të studentëve ndërkombëtar
Thai Nguyen Le rrëfen se nuk kishte menduar kurrë ta vizitonte Shqipërinë, sidomos pasi kishte dëgjuar komente të ndryshme nga të tjerë. Por kur erdhi vetë, përjetimi ishte krejt ndryshe.
“Kur dëgjon diçka për një vend, nuk është njësoj si ta përjetosh vetë,” – thotë ajo, duke shtuar se Vlora ishte një surprizë pozitive.
Nga kjo eksperiencë u kuptua edhe një herë se vizitorët e huaj shohin qytetin tonë me një sy tjetër – shpesh me këndvështrime të freskëta, interesante dhe herë pas here befasuese.
Vajzat pohuan dashurine e tyre per kafen shqiptare dhe shtuan se populli shqiptar eshte shume mikprites dhe miqesor.
Shqipëria po ndërtohet si destinacion i zgjuar
Për Vlorën, kjo është vetëm fillimi. Me aeroportin e ri në ndërtim, projektin e Vlora Marina dhe rritjen e turizmit të kualifikuar, qyteti po hyn në një fazë të re të zhvillimit.
Studentet si Yuuna dhe Thai janë dëshmi që Vlora nuk zgjidhet vetëm për detin por edhe për atmosferën urbane që po krijohet, ku kafenetë dhe mikpritja janë pjesë e veçantë e eksperiencës.
Kafenetë shqiptare mund të mos jenë në broshurat zyrtare të turizmit, por për këto studente, ato ishin shpëtim gjatë rrugëtimit të tyre akademik dhe kjo është ndoshta një tjetër arsye për të dashur Vlorën.
Shkrimtare e pasionuar pas trashëgimisë kulturore dhe asaj jomateriale, e përkushtuar ndaj ruajtjes së tyre përmes metodave të drejtpërdrejta dhe të tërthorta. E interesuar për zhvillimin teknologjik dhe ndikimin që ai ka në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë.
Komente