Nën drejtimin e zëvendësministres së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani, u zhvillua sot takimi i radhës i Grupit të Menaxhimit të Integruar të Politikave (GMIP) për fushën “Zhvillimi i kapitalit njerëzor”.
Takimi mblodhi përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MShMS), Ministria e Arsimit dhe Sportit (MAS), si dhe partnerë ndërkombëtarë nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP). Të pranishëm ishin gjithashtu drejtues të institucioneve zbatuese të Strategjisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive.
Në fokus të diskutimeve ishin zhvillimet më të fundit që lidhen me procesin e integrimit evropian, veçanërisht hapja e negociatave për grup-kapitullin 3 “Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse”. U theksua rëndësia e ratifikimit të programit operacional “Punësimi i të rinjve” në kuadër të IPA 2025, si dhe u prezantua raporti vjetor për vitin 2024 mbi zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Punësimit dhe Garancisë Rinore.
Një nga temat kryesore të diskutimit ishte edhe projektligji i ri “Për barazinë gjinore”, i cili synon përmirësimin e kuadrit ligjor dhe fuqizimin e rolit të grave në tregun e punës, në kuadër të një shoqërie më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.
Po ashtu, u theksua nevoja për zhvillimin profesional të mësimdhënësve, si një shtyllë thelbësore për rritjen e cilësisë në arsim dhe forcimin e kapitalit njerëzor.
Ariola është një gazetare e re dhe energjike në ekipin e Blu TV, e njohur për qasjen e saj dinamike ndaj lajmit dhe pasionin për gazetarinë terreni. Ajo sjell një zë të freskët dhe angazhim të vazhdueshëm në pasqyrimin e problematikave sociale dhe zhvillimeve aktuale, duke qenë afër komunitetit dhe duke raportuar me saktësi e profesionalizëm.
Komente