Një operacion policor i koduar “Storm 4” ka çuar në zbardhjen dhe goditjen e një rrjeti të organizuar prostitucioni në zonën e Plazhit, në lagjen nr. 13 të Durrësit.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Durrës dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, nën drejtimin e Prokurorisë së rrethit.
Pas dy javësh hetime me metoda proaktive, janë vënë në pranga katër shtetase kineze, mes tyre edhe organizatorja e dyshuar, 46-vjeçarja F. W. Në kërkim është shpallur një tjetër organizatore e dyshuar, një shtetase britanike 46 vjeçe, me banim në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas hetimeve, të arrestuarat kishin marrë me qira një vilë dykatëshe në zonën e Plazhit, të cilën e kishin përshtatur për ushtrimin e veprimtarisë së paligjshme. Dyshohet se shërbimet ofroheshin edhe përmes një “call center”-i nga jashtë vendit.
Në kuadër të operacionit u proceduan penalisht edhe 10 persona të tjerë – 2 gra kineze dhe 8 shtetas shqiptarë – për veprën penale “Prostitucioni”.
Gjatë kontrollit në vilë, Policia sekuestroi 6 pasaporta të shtetaseve kineze, shuma të konsiderueshme parash në euro dhe dollarë, karta banke dhe disa celularë.
Hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në rrjet, i cili dyshohet se ka lidhje edhe me shtetas jashtë territorit shqiptar. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme.
Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.
Komente