Spitali i Dibrës dhe ai i Vlorës përzgjidhen si spitale pilot për eliminimin e pajisjeve me merkur

Spitali i Dibrës dhe ai i Vlorës përzgjidhen si spitale pilot për eliminimin e pajisjeve me merkur

Në kuadër të përpjekjeve për forcimin e sigurisë në sistemin shëndetësor dhe mbrojtjen e mjedisit, Zyra e OBSH-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Drejtorinë Qendrore të OSHKSH-së, ka nisur një projekt të rëndësishëm për eliminimin e pajisjeve mjekësore që përmbajnë mërkur, në përputhje me Konventën e Minamatës dhe legjislacionin shqiptar.

Spitali Rajonal i Dibrës dhe Spitali Rajonal i Vlorës janë përzgjedhur si spitale pilot për fazën fillestare të projektit. Synimi është të identifikohen dhe të zëvendësohen pajisjet që përmbajnë mërkur me pajisje moderne, të certifikuara dhe të sigurta si për pacientët ashtu edhe për stafin mjekësor.

Takime teknike dhe angazhim institucional
Dy takime ndër-institucionale janë zhvilluar për këtë qëllim, përkatësisht në ambientet e Spitalit të Dibrës dhe në Drejtorinë Rajonale të OSHKSH-së në Vlorë, me pjesëmarrjen e:

Ekspertëve të OBSH-së

Përfaqësuesve të OSHKSH-së në nivel qendror dhe lokal

Stafit të spitaleve dhe përfaqësuesve të kujdesit shëndetësor vendor

Drejtoresha e OSHKSH-së, Jeta Deda, prezantoi objektivat e ndërhyrjes dhe udhëhoqi diskutimet teknike, ndërsa ekspertët e OBSH-së prezantuan formularët standardë të inventarizimit dhe udhëzuan pjesëmarrësit për menaxhimin e sigurt të pajisjeve, përdorimin e pajisjeve mbrojtëse personale dhe respektimin e protokolleve teknike gjatë gjithë procesit.

Objektivi: siguri për pacientët dhe mbrojtje për mjedisin
Projekti synon jo vetëm përmirësimin e sigurisë spitalore, por edhe përmbushjen e angazhimeve ndërkombëtare të Shqipërisë në mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik. Drejtuesit lokalë të OSHKSH-së në Dibër dhe Vlorë kanë rikonfirmuar angazhimin për zbatimin e suksesshëm të projektit, ndërsa mbikëqyrja dhe koordinimi do të vijojë nga niveli qendror.

Ky hap përfaqëson një etapë të re në drejtim të një sistemi shëndetësor më të sigurt, modern dhe të qëndrueshëm.

Lajmi nga: Vjola Murati
Vjola Murati

Vjola Murati

Vjola Murati është spikere dhe gazetare në Blu Televizion, me një formim akademik në Shkenca Sociale dhe Komunikim nga Universiteti i Tiranës. Ajo sjell në ekran profesionalizëm, ndjeshmëri dhe përkushtim ndaj realitetit të komunitetit vendas.

Komente

-