“Spastrimi i madh” i Ramës mbërrin në Fier – Kryeministri kërkon dorëheqjet masive dhe paralajmëron aksione të reja!

“Spastrimi i madh” i Ramës mbërrin në Fier – Kryeministri kërkon dorëheqjet masive dhe paralajmëron aksione të reja!

Pas “tërmetit” në administratën e Vlorës, Kryeministri Edi Rama e zhvendosi aksionin e tij vetëm disa kilometra më larg — në Fier. Në një mbledhje me tone të ashpra dhe vendosmërinë për ta riformatuar administratën vendore, Rama kërkoi dorëheqjen e të gjithë drejtuesve të institucioneve që varen nga Bashkia e Fierit.
Një ditë më parë, ai kishte paralajmëruar se spastrimi do të vazhdonte edhe në qytete të tjera të mëdha. “Jemi në Fier dhe më pas në Durrës, ku do të vazhdojmë të njëjtën përpjekje. Një vetëpastrim dhe vetëlehtësim i brendshëm i strukturës. Kjo është një domosdoshmëri pas një periudhe të gjatë qëndrimi në të njëjtat pozicione të të njëjtëve njerëz,” – deklaroi Rama.
Ai theksoi se qytetet e mëdha kanë nevojë për sy të freskët, për një hov të ri dhe për një administratë që ecën në të njëjtin ritëm me transformimet urbane që po përjetojnë. “12 mandatet në Fier janë histori – janë vlerësimi i dhënë nga dhjetëra mijëra qytetarë që presin rezultate,” – shtoi ai.
Në fokusin e kritikave të Ramës ishin jo vetëm performanca e dobët, por edhe zaptimi i hapësirave publike dhe mungesa e reagimit ndaj ankesave të qytetarëve. Ai la të kuptohet se Fierin e pret i njëjti aksion pastrimi si ai i nisur në Vlorë, veçanërisht në lidhje me lirimin e hapësirave publike dhe përmirësimin e pastërtisë në qytet.
Kryeministri kërkoi dorëheqjen e dy nënkryetarëve të bashkisë, të gjithë drejtuesve të drejtorive rajonale dhe shefave të departamenteve, duke theksuar se qytetarët nuk mund të injorohen pas asaj që e quajti “një besim të jashtëzakonshëm të dhënë me votë”.
Në takimin me dyer të mbyllura, Rama shoqërohej nga drejtuesja politike e qarkut, Belinda Balluku, kryebashkiaku Armando Subashi, ministri i Pushtetit Vendor Arbjan Mazniku, deputetja e rizgjedhur Antoneta Dhima si dhe përfaqësues të tjerë të legjislaturës së re.
Ky ishte një sinjal i qartë se reformimi i administratës vendore nuk është thjesht paralajmërim, por një proces i nisur që do të vazhdojë me hapa konkretë në të gjithë vendin.

Lajmi nga: Adriatik Golemaj
Adriatik Golemaj

Adriatik Golemaj

Adriatik Golemaj, Drejtor Ekzekutiv i televizionit, ka 28 vite përvojë në media lokale dhe ndërkombëtare. Ka punuar si gazetar, redaktor dhe prezantues, si dhe si ndërmjetës për organizata mediatike të huaja. Ka drejtuar projekte komunikimi me publikun dhe median për kompani ndërkombëtare. Në rolin e tij aktual, ai garanton funksionimin e televizionit dhe përfaqëson institucionin në bashkëpunime strategjike.

Komente

-