SPANJË – Një organizatë e krishterë në qytetin Boadilla del Monte, pranë Madridit, ka shpallur planet për ndërtimin e statujës më të madhe në botë të Krishtit, një projekt ambicioz që pritet të tejkalojë për nga përmasat edhe ikonën botërore “Krishti Shpëtimtar” në Rio de Janeiro, Brazil.
E quajtur “Statuja e Zemrës së Shenjtë të Jezusit”, monumenti do të jetë 37 metra i lartë dhe 60 metra i gjerë, dhe do të ndërtohet me beton të përforcuar dhe fibra karboni. Në qendër të trupit të statujës do të vendoset një zemër tabernakulli prej 2.5 metrash, duke e kthyer atë në një vend të hapur për vizitorë dhe pelegrinë nga e gjithë bota.
Hapja parashikohet në vitin 2030
Projektuar nga skulptori Javier Viver, i njohur për veprat e tij me motive fetare, statuja do të funksionojë si një hapësirë reflektimi dhe pelegrinazhi ndërkombëtar, me hapjen e planifikuar për qershorin e vitit 2030, nëse arrihet financimi i plotë.
Deri më tani janë mbledhur mbi 94,000 euro, ndërsa kostoja totale llogaritet në 17 milionë euro, e cila do të financohet përmes donacioneve nga besimtarë në mbarë botën.
Debat publik: vepër shpirtërore apo luks i panevojshëm?
Përkrahësit e projektit pretendojnë se statuja do të jetë një simbol shprese në kohë të polarizimit dhe pasigurive sociale, ndërsa 10% e fondeve do të dedikohen për qëllime bamirësie.
Megjithatë, kritikat nuk kanë munguar. Disa banorë dhe përfaqësues politikë në Spanjë e kanë cilësuar projektin si një shpenzim të tepruar në një kohë krize strehimi.
“Është e papranueshme që tokë publike të jepet për një projekt luksoz, ndërkohë që qytetarët luftojnë për të siguruar një banesë,” – deklaroi Alessandra del Mónaco nga Partia Socialiste.
Në rrjetet sociale, projekti është përshkruar nga kritikët si “një park tematik, jo një vepër shpirtërore”, ndërsa kërkohet që investimet të drejtohen drejt shëndetësisë, arsimit dhe ndihmës sociale.
Pavarësisht debatit, projekti ka marrë miratimin unanim të këshillit bashkiak lokal në nëntor të vitit 2019 dhe pritet të shndërrohet në një nga monumentet më të mëdha dhe më diskutues të dekadës së ardhshme në Evropë.
Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.
Komente