Spanja rikuperon pothuajse plotësisht rrjetin elektrik pas ndërprerjes masive

Spanja rikuperon pothuajse plotësisht rrjetin elektrik pas ndërprerjes masive

Pas një nate intensive riparimesh dhe përpjekjesh teknike, Spanja është shumë pranë rikuperimit të plotë të rrjetit të saj elektrik, pas një ndërprerjeje të madhe që preku pothuajse gjithë vendin. Sipas operatorit kombëtar të rrjetit, Red Electrica, 99.16% e kërkesës për energji është tashmë përmbushur, ndërsa të gjitha nënstacionet e rrjetit të transmetimit janë funksionale në 100%.

Ky përditësim pozitiv vjen pasi punimet për rikthimin e energjisë vazhduan gjatë gjithë natës, me angazhimin e ekipeve teknike në të gjithë territorin. Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, deklaroi se rreth orës 22:30 (sipas kohës së Mbretërisë së Bashkuar), 50% e vendit kishte energji, ndërsa mëngjesin e sotëm situata është thuajse normalizuar.

Megjithatë, efektet e ndërprerjes vazhdojnë të ndihen, veçanërisht në sektorin e transportit, ku shumë linja udhëtimi mbeten të pezulluara ose të vonuara. Autoritetet kanë bërë thirrje për durim dhe bashkëpunim, ndërsa puna për rikthimin e plotë të shërbimeve vazhdon.

Në Portugali, ku ndërprerja pati gjithashtu ndikim, operatori REN bëri të ditur se 85 nga 89 nënstacionet janë rikthyer në funksion, duke e afruar edhe këtë vend me normalitetin energjetik.

Kryeministri Sanchez njoftoi se këshilli i sigurisë kombëtare do të mblidhet sot për të analizuar shkaqet e ndërprerjes dhe për të hartuar masa parandaluese për të ardhmen. Në fjalën e tij, ai falënderoi qytetarët për qetësinë dhe solidaritetin që treguan gjatë krizës:

“Qytetarët tanë ishin shembull i përgjegjësisë dhe shpirtit qytetar. Ky është forca jonë më e madhe.”

Ndërsa vendi i kthehet ritmit normal, pritet një raport i detajuar nga autoritetet për të sqaruar se çfarë e shkaktoi këtë krizë të papritur në rrjetin energjetik.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-