SPAK kërkon 5 vite burg për Alqi Bllakon për korrupsion në çështjen e inceneratorit të Tiranës

SPAK kërkon 5 vite burg për Alqi Bllakon për korrupsion në çështjen e inceneratorit të Tiranës

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar dënimin me 5 vite burg për ish-sekretarin e Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako, i akuzuar për korrupsion pasiv në lidhje me çështjen e inceneratorit të Tiranës.

Gjatë seancës gjyqësore, prokurori i çështjes Dritan Prençi kërkoi shpalljen fajtor të Bllakos për korrupsion pasiv në dy raste të veçanta. Nëse gjykata pranon kërkesën e SPAK-ut, për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar do të reduktohet në 3 vite e 4 muaj burgim, ndërsa për një periudhë 5-vjeçare ai nuk do të ketë të drejtë të ushtrojë asnjë funksion publik.

Sipas hetimeve të SPAK, Bllako ka përfituar në mënyrë të tërthortë rreth 120 mijë euro nga biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, pronarët e vërtetë të shoqërisë koncesionare të inceneratorit të Tiranës. Këto para dyshohet se janë përdorur për blerjen e një pajisjeje për aktivitetin tregtar të babait të tij, i cili zotëron një fabrikë birre në Ersekë.

Në dosjen hetimore thuhet se Bllako i ka propozuar Vladimir Bezhanit të vijonte si këshilltar i jashtëm i ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka, gjatë periudhës kur po përgatitej procedura për dhënien e koncesionit. Për këtë shërbim, ai akuzohet se i ka kërkuar Klodian Zotos ta punësonte fiktivisht Bezhanin, duke i siguruar një pagë prej 7.5 milionë lekësh të reja.

Gjykata e Posaçme pritet të japë vendimin përfundimtar në javët e ardhshme. Çështja e inceneratorëve mbetet një nga hetimet më të rëndësishme për korrupsionin në nivelet e larta të administratës publike në vend.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-