Në një aksion të rëndësishëm, SPAK ka goditur një organizatë kriminale me 16 anëtarë, e cila trafikonte tonelata kokainë nga Amerika Latine në drejtim të vendeve të Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe. Me kërkesë të SPAK, është arrestuar Ermir Ndreaj, i njohur për pronësinë e disa kompanive, përfshirë rrjetin e klubeve "Cinco Cavalli", restorantin Savoy në Kompleksin Deliorgji dhe qendrën estetike Clinique Cinq, gjithashtu në të njëjtin kompleks, në emër të bashkëshortes së tij, Elira Ndeaj (Barbullushi).
Pjesë e këtij aksioni janë arrestuar gjithashtu dy vëllezërit Artur dhe Klevis Hoxhosmani. Ky i fundit është i njohur për lidhjen e tij me Kejda Ajazin, vajzën e ish-deputetes dhe ish-ministres së PD-së, Majlinda Bregu. Kejda Ajazi ka tërhequr vëmendjen e mediave për jetën e saj luksoze, e cila shtrihet nga Dubai deri në Monako, dhe siç njoftohet tani, me burime të dyshimta të pasurisë, ndoshta nga trafiku i kokainës.
Në gusht të vitit 2024, Kejda u shfaq në një video në rrjetet sociale duke treguar jetën e saj luksoze në Monako, e shoqëruar nga partneri i saj, i arrestuar nga SPAK. Në video, ajo mbante një çantë të shtrenjtë ‘Hermes Birkin’ dhe udhëhiqte një makinë luksoze me vlerë 500 mijë euro, ndërkohë që shoqëruesit e hotelit i hapnin derën e makinës. Nga ana e saj, Kejda nuk dilte nga makina pa iu hapur dera, duke shfaqur një elegancë dhe arrogancë të dukshme. Ky luks ka ngritur pyetje lidhur me burimin e parave të saj, duke sugjeruar mundësinë që ajo të ketë përfituar nga aktivitetet e paligjshme të trafikut të kokainës.
Për momentin, nuk dihet nëse Kejda Ajazi është thjesht një konsumatore e luksit të financuar nga paratë e kokainës, apo ka pasur një rol në pastrimin e parave si partneret e tjerë të trafikantëve të drogës.
Ky zhvillim hedh dritë mbi lidhjet dhe aktivitetet kriminale që mund të lidhen me jetën luksoze të disa figurave publike dhe do të vijojë të tërheqë vëmendjen për hetimet e ardhshme të SPAK-ut.
Komente