Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dërguar për gjykim avokatin Bardhi Koçi, i akuzuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj zyrtarëve të drejtësisë në disa raste.
Sipas SPAK, ndaj Koçit janë provuar tre episode ku ai kërkonte ryshfet për të ndërhyrë në procese gjyqësore. Gjatë kohës së kryerjes së veprave penale, Koçi ka mbajtur gjithashtu funksionin e zyrtarit pranë Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Një nga rastet përfshin qytetaren Pranvera Meshi, e cila i ka dhënë 1000 euro avokatit për të ndikuar në një çështje gjyqësore për falsifikim dokumentesh në Gjykatën e Tiranës. Në dy rastet e tjera, Koçi akuzohet për marrjen e 1300 eurosh dhe përfitime të tjera për të ndikuar te gjyqtarë dhe ekspertë të Institutit të Policisë Shkencore, lidhur me çështje të drejtimit të parregullt të mjetit dhe sekuestrimin e lëndëve narkotike.
Fillimisht, avokati Bardhi Koçi ka qëndruar në "arrest shtëpie", ndërsa së fundmi Gjykata e Lartë ka zbutur masën e sigurisë në "detyrim paraqitje".
Komente