Sot hidhet shorti i Botërorit 2026 në Washington: Edicioni rekord me 48 ekipe dhe format të ri

Sot hidhet shorti i Botërorit 2026 në Washington: Edicioni rekord me 48 ekipe dhe format të ri

Shorti i Kupës së Botës 2026 do të hidhet sot në “Qendrën Kennedy” në Washington, në orën 12:00 me kohën lokale dhe 18:00 sipas orës shqiptare. Ceremonia pritet të shoqërohet me fjalime, performanca artistike dhe pjesëmarrjen e figurave të njohura, mes tyre edhe Donald Trump. FIFA do të transmetojë gjithashtu video me fëmijë që luajnë futboll për të theksuar mesazhin e saj global të paqes përmes sportit.

Ky edicion sjell rritjen e numrit të pjesëmarrësve nga 32 në 48 ekipe dhe zhvillohet për herë të parë në tri shtete: SHBA, Kanada dhe Meksikë. Turneu do të zgjasë pesë javë, nga 11 qershori në 19 korrik 2026. Të 48 ekipet janë ndarë në katër vazo me nga 12 skuadra secila, ku vazoja e parë përfshin tre vendet pritëse së bashku me nëntë kombëtaret më të mira në renditjen aktuale të FIFA-s.

Vazot e tjera janë formuar sipas renditjes së FIFA-s, ndërsa ekipet me pikët më të ulëta janë renditur në vazon e katërt. Formati i shortit përcakton që çdo grup të përbëhet nga katër ekipe, nga një skuadër për secilën vazo. Dy vendet e para të çdo grupi dhe tetë ekipet më të mira të vendeve të treta do të kalojnë në fazën me eliminim direkt, duke kompletuar 32 ekipet që do të vijojnë rrugëtimin.

Krahasuar me edicionet e mëparshme, Botërori 2026 do të ketë një raund eliminimi shtesë, atë të 1/16-ave. Në këtë mënyrë, kombëtarja që synon titullin do të duhet të luajë tetë ndeshje, një më shumë se më parë. Formati është ndërtuar në mënyrë që disa prej kombëtareve më të forta të shmangin njëra-tjetrën deri në fazat e mëvonshme, nëse e mbyllin grupin në vendin e parë.

Lista e vazove për shortin është si vijon:

Vazo 1: Kanada, Meksikë, SHBA, Spanjë, Argjentinë, Francë, Angli, Brazil, Portugali, Holandë, Belgjikë, Gjermani.

Vazo 2: Kroacia, Maroku, Kolumbia, Uruguai, Zvicra, Japonia, Senegali, Irani, Koreja e Jugut, Ekuadori, Austria, Australia.

Vazo 3: Norvegjia, Panamaja, Egjipti, Algjeria, Skocia, Paraguai, Tunizia, Bregu i Fildishtë, Uzbekistani, Katari, Arabia Saudite, Afrika e Jugut.

Vazo 4: Jordania, Kepi i Gjelbër, Gana, Kuraçao, Haiti, Zelanda e Re, katër skuadra europiane të play-off-it, dy skuadra ndërkontinentale të play-off-it.

Ndeshjet play-off që do të përcaktojnë gjashtë skuadrat e fundit kualifikuese do të zhvillohen në fund të marsit 2026. Shqipëria do të luajë në Varshavë ndaj Polonisë, ndërsa Kosova në Bratislavë kundër Sllovakisë.

Botërori i Amerikës së Veriut shënon disa rekorde dhe ndryshime të rëndësishme: 48 kombëtare pjesëmarrëse, tri shtete pritëse, 16 qytete, 12 grupe dhe 104 ndeshje gjithsej, me 40 më shumë se edicioni i kaluar. Po ashtu, turneu mbledh 7 ish-kampionë bote dhe 5 kombëtare që marrin pjesë për herë të parë.

Kupa e Botës 2026 do të mbahet nga 11 qershori deri më 19 korrik, duke u bërë edicioni më i madh në historinë e kompeticionit.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-