Skemë falsifikimi për përvetësim pronash në Jug – Kryetari i Gjykatës së Vlorës denoncon rastin, nën hetim një 65-vjeçar

Skemë falsifikimi për përvetësim pronash në Jug – Kryetari i Gjykatës së Vlorës denoncon rastin, nën hetim një 65-vjeçar

Gjykata e Vlorës ka zbuluar një skemë të dyshuar falsifikimi dokumentesh dhe vendimesh gjyqësore me qëllim përvetësimin e pronave në zonat bregdetare të Jugut të vendit. Në qendër të hetimeve është shtetasi Gjergji Kokdhima, 65 vjeç, i cili, ndonëse rezulton si i dalë në pension, dyshohet se ka falsifikuar dokumente dhe një vendim gjyqësor për të përfituar në mënyrë të paligjshme disa hektarë tokë.

Sipas informacioneve të siguruara nga Blu TV, hetimet janë iniciuar pas një kallëzimi të depozituar nga vetë kryetari i Gjykatës së Vlorës, Enkel Peza, në lidhje me një vendim gjyqësor të dyshuar si të falsifikuar, të datës 11.07.2015, me gjyqtar Florjan Kalaja. Në këtë vendim, që i është dorëzuar Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, paditës figuronte Leonora Kokdhima, me objekt njohje pronësie përmes parashkrimit fitues për një sipërfaqe prej 1500 m² në Qeparo, ndërsa pala e paditur ishte Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.

Pas verifikimeve të kryera nga gjykata, rezultoi se një çështje e tillë nuk ekziston në regjistrat gjyqësorë, duke ngritur dyshime të forta për falsifikim. Më 24 shkurt 2025, janë sekuestruar vulat zyrtare të Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë për krahasim me dokumentin në fjalë.

Në dëshminë e saj para hetuesve, Leonora Kokdhima ka mohuar çdo dijeni për aplikimet në e-Albania, duke deklaruar se me procedurat është marrë bashkëshorti i saj. Ajo ka theksuar se nuk ka bërë asnjëherë padi për përfitim toke. Verifikimet kanë treguar gjithashtu se aplikimet janë kryer nga një qendër interneti, jo nga pajisjet e saj personale.

Fillimisht, Gjergji Kokdhima kishte mohuar akuzat, por gjatë marrjes sërish në pyetje ka pranuar se e ka falsifikuar vetë vendimin, pa ndihmën e askujt tjetër, duke ndryshuar kështu versionin e tij të mëparshëm.

Burime të besueshme nga Gjykata e Vlorës për Blu TV bëjnë me dije se, ndonëse ndaj Kokdhimës është lënë masa e arrestit shtëpiak, hetimet vijojnë, pasi dyshohet se ai nuk ka vepruar i vetëm. Për shkak të natyrës së komplikuar të dokumentit të falsifikuar dhe procedurave të përfshira, dyshohet se mund të jenë të implikuar edhe persona të tjerë.

Po sipas burimeve, një skemë e ngjashme falsifikimi është zbuluar edhe në një tjetër rast, për të cilin Gjykata e Vlorës po kryen hetime, por për arsye hetimore, detajet nuk bëhen publike.

Blu TV disponon kopjen e vendimit të dyshuar si të falsifikuar, që është pjesë e dosjes hetimore. Rasti ngre pikëpyetje të mëdha mbi sigurinë e sistemit të pronësisë në vend, veçanërisht në zonat me interes të lartë turistik si bregdeti i Jugut.

Lajmi nga: Armand Xhelili
Armand Xhelili

Armand Xhelili

Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.

Komente

-