Skandal mjedisor në Parkun Kombëtar të Vjosës – Albpetrol derdh naftë në lumin e fundit të egër të Evropës

Skandal mjedisor në Parkun Kombëtar të Vjosës – Albpetrol derdh naftë në lumin e fundit të egër të Evropës

Një ngjarje alarmante me pasoja të rënda për mjedisin është regjistruar në Parkun Kombëtar të Vjosës. Naftë bruto është derdhur në lumin Vjosë, një vit pasi ai u shpall zyrtarisht Park Kombëtar, duke e kthyer një nga thesaret natyrore të Evropës në një pikë ndotjeje industriale.

Puset e Albpetrolit në zonën e Gorishtit dyshohet të jenë burimi i ndotjes së rëndë. Pamje tronditëse të publikuara në rrjetet sociale tregojnë gjallesa të ngordhura dhe shtresa nafte në ujërat që dikur mbartnin jetën e mbi 1,000 specieve të faunës dhe florës.

Shoqata Europiane për Ruajtjen e Lumenjve e ka cilësuar këtë si një nga skandalet më të rënda mjedisore në Ballkan vitet e fundit, ndërsa autoritetet shqiptare nuk kanë dhënë ende një reagim të qartë.

Niko Dumani, aktivist mjedisor:

“Vjosa u shpall Park Kombëtar për të mbrojtur natyrën, por ajo po helmohet nga mbetje nafte. Ndërkohë që Shqipëria aplikon për ta futur Vjosën në UNESCO, realiteti në terren është ky: një lumë që po vdes.”

Ndërhyrja për pastrimin e zonës, vetëm disa metra nga vendi i shkarkimit në lumë, nuk ka sjellë zgjidhje. Mbajtja e burimit të ndotjes aktiv tregon se problemet janë strukturore dhe thellësisht të neglizhuara.

Kjo ngjarje sfidon jo vetëm ligjet për mbrojtjen e mjedisit, por edhe besimin e publikut se pasuritë natyrore të vendit janë realisht të mbrojtura. Në vend që të jetë një simbol i ruajtjes së natyrës, Vjosa po kthehet në një vend grumbullimi mbetjesh të industrisë së naftës.

Blu TV vijon ndjekjen e kësaj çështjeje me të gjitha zhvillimet në vijim.

Lajmi nga: Ariola Hasanaj
Ariola Hasanaj

Ariola Hasanaj

Ariola është një gazetare e re dhe energjike në ekipin e Blu TV, e njohur për qasjen e saj dinamike ndaj lajmit dhe pasionin për gazetarinë terreni. Ajo sjell një zë të freskët dhe angazhim të vazhdueshëm në pasqyrimin e problematikave sociale dhe zhvillimeve aktuale, duke qenë afër komunitetit dhe duke raportuar me saktësi e profesionalizëm.

Komente

-