Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njoftoi se po ndjek me prioritet situatën në Izrael pas përshkallëzimit të tensioneve ushtarake mes këtij shteti dhe Iranit. Në një deklaratë zyrtare për mediat, MEPJ konfirmon se deri më tani nuk raportohet për shtetas shqiptarë të lënduar apo të dëmtuar.
Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht ndodhen pesë shtetas shqiptarë në Izrael – tre me status turisti dhe dy me qëndrim të përkohshëm. Ambasada shqiptare në Tel Aviv është në kontakt të vazhdueshëm me ta dhe ata ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore, duke ndjekur udhëzimet e sigurisë të autoriteteve izraelite.
Për shkak të zhvillimeve të fundit dhe rrezikut të shtuar, fluturimet janë ndërprerë përkohësisht, njofton më tej ministria.
Në përfundim të njoftimit, MEPJ bën thirrje që në rast nevoje për ndihmë apo informacion emergjent, qytetarët shqiptarë në Izrael të kontaktojnë Ambasadën në Tel Aviv në numrat:
📞 +972 54 480 6601
📞 +972 54 904 2813
Përshkallëzimi i situatës vjen pasi Irani lëshoi qindra raketa drejt Izraelit, si përgjigje ndaj një sulmi ajror të kryer më herët nga forcat izraelite, që kishte në shënjestër objektiva strategjike brenda territorit iranian.
Vjola Murati është spikere dhe gazetare në Blu Televizion, me një formim akademik në Shkenca Sociale dhe Komunikim nga Universiteti i Tiranës. Ajo sjell në ekran profesionalizëm, ndjeshmëri dhe përkushtim ndaj realitetit të komunitetit vendas.
Komente