Gjatë 24 orëve të fundit, janë regjistruar 20 vatra zjarri, nga të cilat 3 janë ende aktive dhe një është në monitorim. Vatrat janë evidentuar në disa bashki të vendit, përfshirë: Dibër, Bulqizë, Mallakastër, Fier, Kavajë, Vorë, Vau i Dejës, Shkodër, Malësi e Madhe, Has, Krujë, Vlorë, Selenicë, Gjirokastër dhe Përmet.
Vatrat Aktive:
Qarku Dibër
Në njësinë administrative Zerqan, bashkia Bulqizë, vazhdon puna për shuarjen e zjarrit në "Mali i Peladhisë".
Qarku Shkodër
Në “Qafa e Lacit”, bashkia Vau-Dejës, ka shpërthyer një vatër zjarri që ka përfshirë rreth 5 hektarë me lis dhe shkurre.
Qarku Gjirokastër
Në zonën e Grohotit, ku grumbullohen mbeturinat e bashkisë Gjirokastër, ka shpërthyer një vatër zjarri. Në terren është angazhuar një grup zjarrfikësish për shuarjen e tij.
Zjarri në Monitorim:
Qarku Dibër
Në “Liqenin e Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, zjarri është i fjetur dhe po monitorohet nga 4 forca të AdZM dhe 5 forca bashkiake për ndërhyrje të mundshme.
Shkalla e Dëmeve:
Zjarret kanë djegur më shumë se 150 hektarë sipërfaqe me shkurre dhe bimësi, duke shkaktuar gjithashtu dëme në 1000 rrënjë ullinj.
Ka pasur dëme materiale në një banesë në lagjen "15 Tetori", Fier, si dhe në një autobus në aksin rrugor Kardhiq-Delvinë, pranë tunelit të Skërficës, bashkia Gjirokastër.
Forcat e Angazhuara:
Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë përdorur 29 automjete zjarrfikëse dhe janë angazhuar 346 forca operacionale, ndërsa Forcat e Armatosura kanë kontribuar me 130 efektivë.
Parashikimi i Motit dhe Rreziku i Zjarreve:
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, sot priten reshje të dobëta në qarqet Kukës dhe Elbasan, ndërsa reshje të lokalizuara janë parashikuar në qarqet Shkodër, Dibër, Tiranë, Berat, Korçë dhe Gjirokastër.
Përsa i përket zjarreve në pyje, sot pritet nivel rreziku “I LARTË” në qarqet Lezhë, Fier, Berat dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet e tjera do të jetë nivel “I MODERUAR”.
Thirrje për Kujdes:
Strukturat e Mbrojtjes Civile janë të angazhuara dhe në gatishmëri për t’i ardhur në ndihmë komunitetit në rast nevoje. Ftohen qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të shmangin ndezjen e zjarreve në mjedise të hapura. Po ashtu, ata që vërejnë ndonjë vatër zjarri, janë të ftuar ta raportojnë menjëherë te shërbimet zjarrfikëse.
Bashkëpunimi i çdo qytetari është thelbësor për parandalimin e pasojave të mundshme nga zjarret.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente