Gjatë 24 orëve të fundit, Shqipëria ka përballuar një situatë të ndërlikuar me 20 vatra zjarri të raportuara në të gjithë territorin, prej të cilave 4 janë ende aktive.
Vatrat e zjarrit janë evidentuar në disa bashki të ndryshme, përfshirë Dibër, Bulqizë, Mallakastër, Patos, Fier, Rroskovec, Himarë, Tiranë, Rrogozhinë, Mirditë, Pogradec, Delvinë, Memaliaj dhe Malësi e Madhe.
Vatrat Aktive të Zjarrit
- Qarku Dibër - Liqeni i Luleve (Parku Kombëtar i Lurës): Zjarri është i përhapur në dy vatra. Një vatër është në drejtim të Lurës, rreth liqenit të Zi, ku është e vështirë të kontrollohet për shkak të terrenit të thyer dhe intensitetit të flakëve. Vatra tjetër është në pjesën e sipërme të Malit të Dejës, që po mbahet nën monitorim. Pjesëmarrës në operacion janë 23 forca operacionale dhe 30 ushtarë të Forcave të Armatosura.
- Qarku Dibër - Mal i Peladhisë, njësia administrativë Zerqan: Vatra është aktive në një terren të vështirë mbi fshatin Krajkë, ku janë shkrumbuar rreth 33 ha shkurre, dushqe dhe barishte.
- Qarku Fier - Drenovë, Mallakastër: Zjarri ka riaktivizuar një vatër që përfshin shkurre, ferra dhe pyje pishash. Puna për shuarjen e tij po vazhdon, ndërkohë që përhapja është intensifikuar nga era.
- Qarku Vlorë - Borsh, Himarë: Zjarri është riaktivizuar pas mesnate dhe është duke u kontrolluar nga ekipet e MZSH Himarë, të cilët po përdorin pompa shpine dhe një helikopter të Forcave të Armatosura për ndërhyrje. Rreth 10 ha shkurre janë shkrumbuar deri tani.
Statistika të Përgjithshme
Për shkak të këtyre zjarreve, janë djegur rreth 52 hektarë me shkurre dhe bimësi, ndërkohë që janë dëmtuar edhe rreth 90 rrënjë ullinj. Për operacionet e shuarjes, janë angazhuar 32 automjete zjarrfikëse dhe 275 forca operacionale. Po ashtu, për operacionet e djeshme kanë marrë pjesë 3 automjete zjarrfikëse dhe 50 forca të FA-së, ndërsa sot janë angazhuar 30 ushtarë dhe 2 automjete zjarrfikëse me ekuipazh, si dhe 1 helikopter.
Parashikimi i Motit dhe Rreziku për Zjarre
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, për ditën e sotme nuk priten reshje, duke rritur kështu rrezikun për përhapjen e zjarreve. Sipas parashikimit, rreziku është "i lartë" për qarqet e Lezhës, Tiranës, Fierit dhe Beratit, ndërsa në të tjerat pritet një nivel rreziku "i moderuar".
Thirrje për Kujdes
Strukturat e Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri të plotë për të reaguar menjëherë dhe për të parandaluar përhapjen e zjarreve. Ne iu bëjmë thirrje qytetarëve që të shmangin çdo aktivitet që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër të mundshme zjarri te shërbimet emergjente.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente