“Siguria nuk negociohet” – Drejtori i Policisë së Shtetit inspekton masat për sezonin turistik në Sarandë

“Siguria nuk negociohet” – Drejtori i Policisë së Shtetit inspekton masat për sezonin turistik në Sarandë

SARANDË – Në kuadër të masave të shtuara për sezonin turistik veror 2025, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, zhvilloi një inspektim në terren në qytetin e Sarandës, duke theksuar se siguria është pasaporta kryesore e vendit për turistët dhe qytetarët.

I shoqëruar nga Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Saimir Boshnjaku, Drejtori i DVP Vlorë, Elidon Çela, dhe Drejtori i Kufirit Vlorë, Blendi Jaho, z. Proda zhvilloi një takim me forcat policore të angazhuara në terren, ku dha porosi të qarta për garantimin e rendit dhe sigurisë përgjatë gjithë sezonit.

“Siguria nuk negociohet. Kërkohet angazhim maksimal, profesionalizëm dhe përkujdesje për çdo pushues e turist,” u shpreh Proda.

Masat kryesore të urdhëruara:
Monitorim i përhershëm i vijës bregdetare përmes dronëve, patrullave me biçikleta, njësive detare dhe Policisë Kufitare.

Kontrolle rigoroze ndaj mjeteve lundruese për dokumentacionin, kapacitetin dhe pajisjet e sigurisë, sidomos jelekët e shpëtimit.

“Zero tolerancë” ndaj zaptimit të hapësirave publike – çdo rast të referohet dhe të ndëshkohet sipas ligjit.

Intensifikim i operacionit “Plazh i lirë” në bashkëpunim me policitë bashkiake për të garantuar aksesin e lirë në plazhe.

Reagim i menjëhershëm ndaj ndotjes akustike, veçanërisht në zonat turistike.

Masat në pikat kufitare: shtim sportelesh në raste fluksi dhe kontrolle efektive për parandalimin e krimeve ndërkufitare.

Siguria rrugore si prioritet, përmes përdorimit të teknologjisë inteligjente dhe koordinimit me shërbimet e tjera.

Punonjësit e Policisë të jenë model sjelljeje dhe komunikimi, si pika e parë e kontaktit me turistët dhe vizitorët.

Në përmbyllje të vizitës, drejtuesit vendorë të Policisë njoftuan Drejtorin e Përgjithshëm për zbatimin konkret të masave në terren dhe angazhimin e strukturave për garantimin e një sezoni turistik të sigurt.

“Policia e Shtetit është në shërbim të sigurisë së çdo qytetari, vizitori dhe turisti. Bashkë për një sezon të qetë, të sigurt dhe të paharrueshëm!” – përfundon deklarata zyrtare.

Lajmi nga: Armand Xhelili
Armand Xhelili

Armand Xhelili

Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.

Komente

-