Operacioni "Siguria Detare" vazhdon me intensitet për të siguruar mbrojtjen e pushuesve dhe përdoruesve të mjeteve lundruese përgjatë bregdetit, liqeneve dhe lumenjve të Shqipërisë.
Në javën e fundit, Policia Kufitare në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare ka kontrolluar gjithsej 254 mjete lundruese, nga të cilat 36 janë bllokuar për shkelje të rregullave të sigurisë. Shkeljet përfshijnë hyrjen në zona të paautorizuara, mungesën e dokumentacionit të duhur, dhe lundrimin jashtë perimeve të sigurisë.
Në mesin e mjeteve të bllokuara janë 24 Jet Ski, 5 skafe, 4 gomone dhe 3 varka metalike. Po ashtu, 13 mjete janë konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve. Për shkelësit e rregullave janë shqiptuar masa administrative prej 100,000 lekësh për secilin.
Policia Kufitare ka ndërhyrë në 10 raste nga Ksamili në Velipojë, duke shpëtuar 18 shtetas (shqiptarë dhe të huaj) që ndodheshin në rrezik për shkak të dallgëve të forta ose defekteve teknike në mjetet lundruese.
Autoritetet bëjnë thirrje për respektimin e rregullave të sigurisë detare dhe u kërkojnë qytetarëve të denoncojnë çdo shkelje në numrin 112.
Komente