Monako, shteti i vogël në Rivierën Franceze i njohur për kazinotë luksoze, jahtet madhështore dhe evenimentet ndërkombëtare si Grand Prix, konsiderohet si vendi më i pasur në botë sipas të dhënave të vitit 2024, me një të ardhur për frymë që arrin në 227,073 dollarë amerikanë.
Megjithatë, sipas Camille Esteve – një udhëtare solo dhe gazetare për Monaco Tribune – është e mundur që të vizitosh këtë parajsë të milionerëve me një buxhet modest, duke ndjekur disa strategji të zgjuara.
Zgjidhja e periudhës së duhur: çelësi për çmime të ulëta
Camille thekson rëndësinë e shmangies së sezonit të lartë, si muajt e verës apo periudha e garës së Formula 1. Ajo rekomandon muajt shtator dhe tetor për të shijuar klimën e butë të “verës indiane” ose periudhën nëntor-prill për çmime më të lira në bileta dhe akomodim.
Fli jashtë Monakos dhe ec drejt luksit
Një natë në një hotel në Monte Karlo mund të kushtojë më shumë se qiraja mujore në shumë qytete. Por Monako është e rrethuar nga qytete franceze si Beausoleil, Cap d’Ail dhe Roquebrune-Cap-Martin, ku çmimet janë më të përballueshme dhe distanca për në principatë është vetëm pak minuta në këmbë.
Shije mesdhetare për pak para
Për një vakt të shijshëm dhe tradicional, Camille rekomandon tregun La Condamine, i vendosur në Place d’Armes. Aty gjenden pjata mesdhetare me përbërës të freskët, si pasta italiane, peshk, socca, pissaladière dhe kuzhinë libaneze – me çmime shumë të arsyeshme.
Gjithashtu, shumë restorante ofrojnë menu dreke me tre pjata për më pak se 30 euro – një mënyrë për të përjetuar kuzhinën luksoze pa shpenzime të tepruara.
Lëvizje brenda qytetit: komoditet dhe ekonomi
Monako ka një rrjet të përkryer transporti publik. Me vetëm 1.50 euro, mund të udhëtosh me autobusë modernë, ose të përdorësh ashensorët publikë – një alternativë inteligjente ndaj terrenit të pjerrët. Për orientim më të mirë, Camille sugjeron aplikacionin Citymapper, si dhe përdorimin e aplikacionit Monapass për biletat elektronike.
Monumente dhe aktivitete falas
Nuk është e nevojshme të hysh në Kazino për të përjetuar kulturën e Monakos. Ndër pikat kryesore që mund të vizitohen falas ose me tarifa të ulëta janë: Katedralja e Monakos, kopshtet Saint-Martin, sheshi i Pallatit Princëror, Biblioteka Princesha Grace dhe muzeumet kombëtare si Villa Paloma e Villa Sauber.
Për relaks, Camille përmend Kopshtin Japonez, Kopshtet e Kazinosë dhe qendrën tregtare Métropole si vende ku mund të shëtisësh pa shpenzuar shumë.
Blerje dhe suvenire me çmime të arsyeshme
Pavarësisht reputacionit të modës së shtrenjtë, zona e Portit të Monakos ofron alternativa më ekonomike për blerje krahasuar me Monte Karlon. Ndërsa për suvenire, qyteti i vjetër ofron bluza për më pak se 10 euro dhe produkte të tjera lokale me çmime simbolike.
Komente