Teksa një ditë më parë SPAK lexoi pretencën për 7 të pandehurit e dosjes “Metamorfoza”, opinioni publik u zhgënjye nga masat e vogla të dënimit që kërkoi prokuroria.
Ndërkohë, shumë pak persona kuptuan se kjo ishte vetëm pjesa e parë e kësaj dosjeje penale, e njohur ndryshe si dosja nr. 9.
Një dosje e dytë është ndarë dhe ndodhet në pritje për t’u gjykuar, e cila lidhet drejtpërdrejt me vrasjen makabre të Gjin Boriçit, alias Ndoj, më 9 gusht 2020 në Shkodër.
Përfaqësuesit e akuzës, Arben Kraja dhe Bledar Maksuti, kërkuan 74 vite burgim për 7 të pandehurit, mes të cilëve edhe ish-drejtuesi i Prokurorisë së Kukësit, Xhevahit Lita, si dhe ish-shefi i Operacionales në Policinë e Shtetit, Oltian Bistri. Në këtë gjykim nuk ishte objekt shqyrtimi vrasja e Gjin Boriçit, por vetëm akuzat për “Sigurimin e kushteve për të kryer vrasjen” e Dorian Dulit, Ibrahim Licit, Genc Tafilit dhe Kleanthi Musabelliut, kryer këto në formën e “grupit të strukturuar kriminal”.
Gjithashtu, u shqyrtuan edhe akuzat e tjera për “Korrupsion”, “Pastrimin e produkteve të veprës penale”, “Mbajtje pa leje të armëve” dhe “Nxjerrje sekreti hetimor”.
Një “lumë” bisedash në aplikacionin “Sky” tregon se vrasja e Gjin Boriçit ka qenë tepër e rëndë dhe e pabesë. Ai është vrarë nga shokët e tij me urdhër të Behar Bajrit, ndërsa personi që ka tërhequr këmbëzën është Denis Brajoviç.
Në ndihmë kanë qenë edhe Edmond Preka dhe persona të tjerë, ndërsa në dijeni të plotë ka qenë edhe biznesmeni strategjik Pëllumb Gjoka.
Pas vrasjes, Behar Bajri dhe Pëllumb Gjoka e kanë paraqitur ngjarjen si një krim që iu shkaktua grupit të tyre, duke pretenduar se Licët i kishin vrarë shokun me të cilin kishin ngrënë bukë.
Në fakt, e gjitha ishte një maskim për të shmangur përgjegjësinë penale dhe për të krijuar perceptimin se vrasja ishte kryer nga Licët.
Bisedat e përgjuara në “Sky” tregojnë një Behar Bajri të dëshpëruar që përpiqet të manipulojë një mik të tij, duke i paraqitur ngjarjen në një dritë tjetër.
Mesazhet janë shkëmbyer midis mesditës së 9 gushtit 2020 dhe mbrëmjes së 17 gushtit. Në një nga bisedat, një person i paidentifikuar i shkruan Bajrit:
“…Si je vëlla, a je mirë? Gjynah Gjini, pastë dritë i shkreti, mu dhimt. E paskan shit dikush, e paskan zan fjet krejt vëlla. Inshallah merret vesh kush e ka ba…”
Bajri ia kthen:
“…E di, ma vlla, gjynah. Ja futën ata (Licët), se kanë nesër dyvjetorin e Bardhit…”
Personi tjetër përgjigjet:
“A thua vëlla, ato e kanë ba…?”
Behar Bajri thotë:
“…Nuk e di, s’jam i sigurt, por tham me hamendje… Rrinte në Laç dhe në Lezhë, ose ja kanë bërë Niklagjinjt, se ka nejt me Nokajt shumë.”
Më tej, personi i paidentifikuar shton:
“…I shkreti i paska besu dikujt që ka dal aty…”
Behar Bajri i përgjigjet:
“…Ç’a me ba, na heqën një shok. Fola me të vllanë që par. Ika u pjeka te shtëpia e Jozit (vëllai i Gjin Boriçit), e takova, nuk kishte qenë. I thashë për çfarë nuk kisha ardhur. Tanë këto gjëra janë… Veç ka shpëtuar Lul Kulla.”
Në një bisedë tjetër më 17 gusht, Bajri thotë:
“…Po ku e kanë vra dhe në mënyrën si e kanë vra, tham se nuk ka asgjë – as kamera, asgjë. Dhe për këtë tham se nuk del. Por i jati i Ibrahimit ka thënë: ‘Janë dhe 6 që do të ikin…’. Deri tani janë bërë 7: Borani me gruan, Ferracakët, Titi me Agjën dhe ky. Jemi bërë si Çapajt, poligon qitjeje. Deri sa të hymë njerëz të mirë me ta, dorën e keqe e paskan pas ato shokët e tu…”
Më tej, i thotë mikut të tij:
“…Asht një fjalë e vjetër: ma mirë si i kryen punët vetë, nuk t’i kryen kush…”
Personi tjetër i përgjigjet:
“…Më duket se e kanë thirrur ata që rrinin me të, se ai ikte me vrap. Me dal, del se kush e ka ba, por është shumë herët…”
Në vazhdim, i shkruan:
“…Të paktën edhe nëse shkon keq, nuk bahesh pishman. Po njashtu vlla, tanë gabojnë. Ato shokët e banën të tyren, iku keq. Ti nuk është dashtë me çu fjalë e me u pajtu. Ça është ba, është ba. Mos e kthe kokën mbrapa, por jepi vetë, se s’ke nevojë për kërkënd. Se ti i ke dhënë provat, kapedan…”
Bajri ia kthen:
“…Kapedan nuk dështoj unë, por kur ta baj, du me shku në malet, o kapedan… Si t’ju thyj krahët, se për numra kot i kam. Kur të dush, por nuk du me çu pluhur. O kapedan, kur t’i veshi këpucët, ke me pa te News 24. Nuk kam dalë në pension unë, dhe shpejt ke me nigju. Ky ka me qenë viti ma i keq…”
Personi tjetër i shkruan:
“…E di vëlla, pasha Allahun, s’ke dështu, as ke me dështu. Mi heq ato të pabesë (Licët). Po vëlla, tamam po thua. Me ja thye krahët, jo me çu pluhur kot. Jo kapedan, po hino taktikave si me të tjerët. Theja krahët një nga një, se nuk i len me fluturu – bahen pula. O kapedan, jo ti! Kurrë inshallah me dal aty mo kapedan, te News 24…”
Bajri e mbyll:
“…Jo unë, por kujt ka me ju pre bileta, se nuk gaboj. I bana nja dy vjet shkollë i tesh (burgun). Nuk e kam problem ta dinë…”
Më tej, personi tjetër i thotë:
“…Pate besim te politika, se po të mbështesin e po të ruajnë. Por tash i ke sytë e hapun, ma shumë se kurrë. S’ka ma, vlla. Më pas besim? Iku ajo kohë. Sa re aty, ta kthyen shpinën. Ti je shtylla aty që i jep drejtim. Të tjerët janë kot…”
Bajri ia kthen:
“…Kam pas besim te shumëkush, por kam ndryshuar një fije…”
Ndërsa më vonë, biseda vijon me fjalët:
“…Po sa më erdhi keq për Gjinin…” – i thotë personi i paidentifikuar.
“…Ç’a me ba, ka fol shumë shok. Nuk ma dhimt hiç, se kundërshtarët e mi i kanë shku në gjenaze…” – i përgjigjet Bajri.
“Jo more…” – i kthen tjetri.
“…Ka lujt me shumë porta, veç tu u marrë me fjalë andej-këtej. Është përzi në shumë vende. Dikur e han, kur përzihesh gjithkund. Por nuk e ka vra kush për mu shok. E kanë vrarë se ka përzier dynjanë dhe e kam larguar shok. Ata të mitë më fusin stres – sa shkoj në shtëpi, pistoletat thonë bam bam bam…” – mbyll bisedën Behar Bajri.
Komente