Qyteti i Vlorës po përjeton një periudhë të shpejtë zhvillimi, me ndërtimet e reja që po shtohen kryesisht në zonat bregdetare. Sektori i ndërtimit është bërë një nga shtyllat kryesore të ekonomisë lokale, por ndërkohë, turizmi po merr gjithnjë e më shumë hov, duke sjellë një gjallërim ekonomik dhe një rritje të kërkesës për punonjës në këtë fushë.
Megjithatë, ky zhvillim ka krijuar edhe shqetësime për transformimin që po kalon qyteti. Kryetari i Dhomës së Tregtisë në Vlorë, Arben Breshani, ka ngritur shpesh shqetësime lidhur me zhvillimin e biznesit në rajon, duke theksuar se mbështetja nga qeveria është e pamjaftueshme. Ai nënvizon se shumica e firmave që operojnë në qytet janë nga Tirana, dhe se bizneset vendase po hasin vështirësi për të qenë pjesë e këtij zhvillimi të shpejtë.
Një tjetër sfidë që po i shtohet këtij dinamizmi është mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar. Kompanitë që operojnë në sektorin e ndërtimit po hasin vështirësi të mëdha në gjetjen e stafit të duhur, çka i ka detyruar të kërkojnë punonjës nga jashtë, veçanërisht nga vendet aziatike, për të përballuar kërkesat e tregut të ndërtimit që janë në rritje.
Ariola është një gazetare e re dhe energjike në ekipin e Blu TV, e njohur për qasjen e saj dinamike ndaj lajmit dhe pasionin për gazetarinë terreni. Ajo sjell një zë të freskët dhe angazhim të vazhdueshëm në pasqyrimin e problematikave sociale dhe zhvillimeve aktuale, duke qenë afër komunitetit dhe duke raportuar me saktësi e profesionalizëm.
Komente