Parku Natyror Korab-Koritnik, i shtrirë në një lartësi mbi 1300 metra mbi nivelin e detit, vazhdon të jetë një nga destinacionet më të kërkuara të turizmit natyror në Shqipëri. Gjatë periudhës janar-qershor 2025, rreth 10 250 vizitorë vendas dhe të huaj kanë eksploruar këtë zonë të mbrojtur, sipas të dhënave nga Administrata e Zonave të Mbrojtura në Kukës.
Një ndër atraksionet më të veçanta të parkut është Shtegu i Ngjyrave, një itinerar prej 13 kilometrash që nis nga Shishtaveci dhe përfundon në fshatin Çajë. Ky shteg, pjesë e rrjetit ndërkombëtar High Scardus Trail që lidh Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, ofron një përvojë unike për të apasionuarit pas ecjes në natyrë, duke kaluar përmes kullotave alpine më të mëdha të Evropës Juglindore.
Pamjet gjatë shtegut janë të pasura me ngjyra dhe larmishmëri lulesh, veçanërisht gjatë periudhës qershor-gusht, kur livadhet janë në kulmin e bukurisë. Mes tyre spikat Zambaku shqiptar (Lilium albanicum), një bimë endemike dhe e rrallë, që konsiderohet e rrezikuar dhe mbrohet me ligj.
Guidat turistike lokale raportojnë një fluks të shtuar këtë sezon. Emanuel Pjetri, një guidë nga Puka, tregon se vetëm në një fundjavë të qershorit ka shoqëruar 65 vizitorë, mes tyre edhe persona që për herë të parë ngjiteshin në këtë zonë, të mrekulluar nga peizazhet dhe ajri i pastër malor.
Itinerari fillon nga stani i Hoxhës në Novosejë, drejt majës së Kallabakut (2174 m), prej nga nisin pamjet më spektakolare të Shtegut të Ngjyrave, për të përfunduar në fshatin piktoresk Çajë.
Ky shteg jo vetëm që promovon turizmin e qëndrueshëm dhe natyrën shqiptare, por është një thesar i vërtetë për eksploruesit që kërkojnë aventura në zemër të maleve shqiptare.
Vjola Murati është spikere dhe gazetare në Blu Televizion, me një formim akademik në Shkenca Sociale dhe Komunikim nga Universiteti i Tiranës. Ajo sjell në ekran profesionalizëm, ndjeshmëri dhe përkushtim ndaj realitetit të komunitetit vendas.
Komente