Të dhënat e INSTAT tregojnë se gjatë vitit 2023, të ardhurat e bizneseve në sektorin e shërbimit ushqimor – ku përfshihen restorantet, baret dhe njësitë e tjera të ngjashme – arritën në 80,7 miliardë lekë (afërsisht 800 milionë euro), duke shënuar një rritje vjetore prej 17%. Fitimet neto llogariten në 13,8 miliardë lekë, ose 17% të xhiros totale.
Rritja e qarkullimit lidhet kryesisht me fluksin e lartë të turistëve dhe rritjen e çmimeve pas pandemisë dhe luftës në Ukrainë, që kanë ndikuar në koston e ushqimeve dhe pijeve. Vetëm në vitin 2023, inflacioni në grupin e ushqimeve ishte mbi 13%, me rritjen më të madhe tek recetat me bazë mishi – një nga pikat e forta të kuzhinës shqiptare.
Sektori ka njohur një trend rritës sidomos pas vitit 2017, kur zhvillimi i turizmit në zonat bregdetare u intensifikua. Megjithatë, midis viteve 2019 dhe 2023 numri i bizneseve ka rënë, kryesisht për shkak të mbylljes së bareve të vogla në zonat rurale dhe konsolidimit të tregut në rrjete më të mëdha.
Pavarësisht rritjes së të ardhurave, numri i të punësuarve në 2023 ishte vetëm 2,3% më i lartë se në 2022.
Ekspertët e gastronomisë theksojnë se kuzhina shqiptare, me përzierjen e recetave mesdhetare, osmane, italiane dhe ballkanike, është një atraksion në rritje për turistët. Në krahasim me vendet e tjera të Europës Perëndimore, çmimet në restorantet shqiptare mbeten më të ulëta, duke e bërë vendin tonë gjithnjë e më tërheqës për turizmin gastronomik.
Potenciali i sektorit, sipas specialistëve, mund të rritet edhe më shumë me standardizimin e shërbimit, trajnimin e stafit dhe promovimin më të gjerë të ushqimit tradicional shqiptar.
Komente