Shqipëria vlerësohet nga OKB për progresin në qeverisjen elektronike dhe digjitalizimin e shërbimeve publike

Shqipëria vlerësohet nga OKB për progresin në qeverisjen elektronike dhe digjitalizimin e shërbimeve publike

Në Forumin e Shërbimeve Publike të Kombeve të Bashkuara, mbajtur së fundmi në Samarkand të Uzbekistanit, Shqipëria është vlerësuar për arritjet e saj në fushën e qeverisjes elektronike dhe digjitalizimit të shërbimeve publike, në kuadër të përmbushjes së objektivave të Agjendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) njoftoi se ky vlerësim ndërkombëtar konfirmon angazhimin e Shqipërisë në transformimin e administratës publike përmes teknologjisë dhe inovacionit.

Sipas organizatorëve të forumit, Shqipëria vazhdon të ruajë një renditje të lartë në Indeksin e Zhvillimit të Qeverisjes Elektronike (EGDI) në nivel rajonal, duke shënuar përparim të qëndrueshëm vit pas viti. Progres i dukshëm është vërejtur gjithashtu në Indeksin e Shërbimeve Online, falë zgjerimit të shërbimeve elektronike për qytetarët dhe bizneset, si dhe përmirësimeve të vazhdueshme në infrastrukturën e telekomunikacionit.

Në këtë forum morën pjesë rreth 1,000 përfaqësues nga vende të ndryshme të botës – ministra, ekspertë të administratës publike dhe vendimmarrës – për të ndarë praktikat më të mira dhe për të diskutuar modele transformuese në ofrimin e shërbimeve publike.

Shqipëria u përfaqësua nga znj. Nevila Repishti, e cila mori pjesë aktive në panelet e diskutimit mbi forcimin e qeverisjes elektronike dhe avancimin e transformimit digjital në sektorin publik.

Në ceremoninë përmbyllëse, Shqipëria u përfshi ndër 12 vendet e vlerësuara nga raporti UNEGovernmentSurvey2024 për rezultatet konkrete dhe qasjen moderne në ofrimin e shërbimeve publike online.

Ky vlerësim vjen si një tjetër tregues i qartë i progresit që Shqipëria po bën drejt ndërtimit të një administrate më efikase, të hapur dhe në funksion të qytetarit.

Lajmi nga: Dea Hasanaj
Media e dytë
Dea Hasanaj

Dea Hasanaj

Dea Hasanaj është Drejtore e Burimeve Njerëzore, Administratës dhe Programacionit në Blu TV. Me formim juridik, ajo koordinon funksionimin organizativ të televizionit, menaxhon stafin dhe siguron zbatimin e standardeve editoriale.

Përveç detyrës drejtuese, Dea është edhe autore dhe shkrimtare opinioni, e njohur për analizat e saj mbi çështje sociale, kulturore dhe mediatike.

Ajo përfaqëson institucionin pranë palëve të treta, dhe kujdeset për ecurinë e bashkëpunimit të brendshëm.
Roli i saj është thelbësor për funksionimin efikas dhe identitetin editorial të Blu TV

Komente

-