Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, mori pjesë në Ministerialin e 32-të të OSBE-së që po zhvillohet në Vjenë, ku prezantoi qëndrimin e Shqipërisë mbi çështjet e sigurisë dhe zhvillimet gjeopolitike në rajon dhe në arenën ndërkombëtare.
Gjatë fjalës së saj, ajo theksoi se Shqipëria mbetet e palëkundur në mbështetjen e ligjit ndërkombëtar, drejtësisë dhe llogaridhënies, duke e cilësuar agresionin rus ndaj Ukrainës si një sfidë të rëndësishme për rendin global.
Spiropali u ndal edhe te zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, duke nënvizuar se paqja dhe stabiliteti në kontinentin evropian përbëjnë një prioritet për politikën e jashtme shqiptare. Ajo theksoi se siguria afatgjatë në rajon lidhet ngushtësisht me njohjen e plotë të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.
“Siguria dhe përparimi i qëndrueshëm në rajonin tonë fillon me njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran”, u shpreh ministrja gjatë fjalimit në Vjenë.
Ajo shtoi se Shqipëria do të vazhdojë të mbrojë parimet themelore të OSBE-së, duke përfshirë respektimin e të drejtave të njeriut dhe rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla.
Komente