35 vite më pas: Shqipëria që harroi krimet e komunizmit

35 vite më pas: Shqipëria që harroi krimet e komunizmit

Kanë kaluar 35 vite që nga rënia formale e komunizmit, por drejtësia për krimet e diktaturës në Shqipëri nuk ka ardhur kurrë. Ndryshe nga pjesa tjetër e Evropës Lindore, ku diktatorët u përballën me drejtësinë dhe viktimat u rehabilituan, Shqipëria zgjodhi harresën. Këtu nuk ndodhi një ndarje me të shkuarën, por një bashkëjetesë me të, një kompromis moral që shkatërroi mundësinë për pastrimin e ndërgjegjes kombëtare.

Në vend që diktatura të shembej, ajo thjesht ndërroi ngjyrë. Elitat e vjetra u përshtatën me pluralizmin dhe vazhduan të dominojnë jetën politike, ekonomike dhe institucionale. Komunizmi ra pa u rrëzuar vërtet, pa gjyqe, pa llogaridhënie dhe pa ndëshkim moral. Ra vetëm si fasadë, ndërsa brenda saj mbeti i gjallë aparati i mendësisë që e prodhoi.

Në fillim të viteve ’90, shqiptarët besuan se po hynin në një epokë lirie dhe drejtësie. Por trashëgimia e diktaturës u trashëgua si një pasuri e paligjshme, e kaluar nga një brez politik në tjetrin. Për pasojë, tranzicioni shqiptar u bë një rrugë pa drejtim, një tranzicion që kurrë s’e përfundoi dot nisjen e vet.

Në vendet e tjera ish-komuniste, u hapën dosjet, u dëgjuan dëshmitë, u dënua ideologjia e dhunës dhe u nderuan viktimat. Në Shqipëri ndodhi e kundërta. Ish-pushtetarët u rishfaqën si reformatorë, ndërsa viktimat u lanë në margjina, pa zë, pa shpagim dhe pa kujtesë kolektive.

Pas vitit 1991, Fatos Nano trashëgoi Partinë e Punës dhe e ribrandoi në Partinë Socialiste, duke ndryshuar vetëm emrin, jo përmbajtjen. Struktura, fryma dhe mentaliteti mbetën të pandryshuar. Edhe fjalori politik ruajti terminologjinë e së kaluarës, një simbol i qartë i mungesës së ndarjes morale me epokën e diktaturës. Deklarata e tij, “I mirë, i keq, ai është ati ynë”, shënoi pajtimin publik me krimin.

Në anën tjetër, Sali Berisha, që erdhi në pushtet si flamurtar i antikomunizmit, nuk solli asgjë që mund të quhej shkëputje reale nga e kaluara. Ai zëvendësoi komunizmin me një formë më të hollë të tij, kriptokomunizmin, duke mbajtur të njëjtën logjikë të pushtetit absolut dhe të mosndëshkueshmërisë. Deklarata e tij, “Jemi të gjithë bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë”, ishte një amnisti morale për xhelatët dhe një dënim i dytë për viktimat. Me një fjali, ai barazoi kriminelin me të përndjekurin dhe fshiu dallimin midis fajit dhe pafajësisë.

Ligji 7501 dhe shumë ligje të tjera të asaj periudhe, të miratuara “në emër të paqes sociale”, në të vërtetë vulosën padrejtësinë. Pronat e grabitura nuk iu kthyen kurrë pronarëve, familjet e të pushkatuarve nuk morën as drejtësi, as ndjesë, ndërsa strukturat e vjetra të pushtetit vazhduan të ushqehen nga e njëjta rrënjë.

Shqipëria nuk bëri dekomunistizim, as në institucione, as në arsim, as në kulturë. Universitetet nuk hapën dosjet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit, teatrot ende glorifikojnë figurat e realizmit socialist, ndërsa politika e sotme ruan të njëjtën hierarki të frikës, të kultit të liderit dhe mungesës së llogaridhënies.

Në vend që të dënohej komunizmi, ai u integrua në demokraci. Kriminelët u shndërruan në “veteranë”, ish-cenzorët në opinionistë, ish-funksionarët në deputetë. Viktimat u zhdukën nga kujtesa publike dhe u varrosën për herë të dytë, këtë herë nga heshtja.

Sot, 35 vite më pas, Shqipëria ende nuk e ka mbyllur kapitullin e saj më të errët, sepse nuk e ka guximin ta lexojë. Varret e të pushkatuarve kërkojnë ende drejtësi, dosjet presin të hapen dhe ndërgjegjja kombëtare vijon të qëndrojë nën hijen e së kaluarës.

Derisa shoqëria të ndajë përfundimisht kufirin moral mes viktimës dhe xhelatit, Shqipëria do të mbetet një demokraci e rreme, një sistem që mban emrin e lirisë, por trashëgon shpirtin e diktaturës.

(Foto: Memoriali i Viktimave të Komunizmit, Pragë)

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-