Shqipëria promovon turizmin dhe kulinarinë në Festivalin Universal të EHL në Lozanë

Shqipëria promovon turizmin dhe kulinarinë në Festivalin Universal të EHL në Lozanë

Shqipëria ishte në qendër të vëmendjes në Festivalin Universal të organizuar nga École hôtelière de Lausanne (EHL), një nga universitetet më prestigjioze në botë për Hoteleri dhe Turizëm. Në këtë event ndërkombëtar, kultura, mikpritja dhe gatimet shqiptare u prezantuan me krenari përmes një stende të veçantë që mbante emrin “Albania”.

Pjesëmarrja shqiptare në këtë festival u organizua nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bernë, në bashkëpunim të ngushtë me studentët shqiptarë që ndjekin studimet pranë EHL, të cilët krijuan një atmosferë autentike dhe të ngrohtë shqiptare.

Stenda ofroi për vizitorët një udhëtim virtual në Shqipëri përmes videove promovuese, fotografive dhe materialeve informuese, duke prezantuar bukuritë natyrore, trashëgiminë kulturore dhe mundësitë turistike të vendit. Po ashtu, vizitorët patën mundësinë të shijojnë ushqime tradicionale shqiptare, të përgatitura nga vetë studentët, të cilat u pritën me entuziazëm dhe kuriozitet.

Ky aktivitet u zhvillua në prag të hapjes zyrtare të sezonit turistik dhe përbën një nismë të rëndësishme në promovimin e Shqipërisë si një destinacion turistik në rritje, me interes në tregjet ndërkombëtare.

Në festival mori pjesë edhe Valon Gashi, Sekretar i Parë i Ambasadës së Shqipërisë në Zvicër, i cili gjatë fjalës së tij përshëndetëse falënderoi të rinjtë për angazhimin dhe foli për zhvillimet pozitive që po përjeton sektori i turizmit në Shqipëri. Ai ftoi të gjithë të interesuarit që të vizitojnë vendin tonë dhe të bëhen pjesë e promovimit të tij në arenën ndërkombëtare.

“Shqipëria është një perlë në zemër të Mesdheut, që mirëpret botën me bukuritë e saj natyrore, kulturën e pasur dhe mikpritjen e veçantë,” – u shpreh Gashi.

Përmes këtij angazhimi të suksesshëm, Shqipëria ka mundur të rrisë vizibilitetin në një platformë prestigjioze edukimi dhe turizmi, duke fuqizuar imazhin e saj ndërkombëtar si një destinacion që meriton të zbulohet.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-