SHQIPËRI – Turistët nga Europa Veriore po zgjedhin gjithnjë e më shpesh Shqipërinë si një nga destinacionet më tërheqëse të Mesdheut. Vajza të reja nga Estonia janë ndër vizitorët që kanë eksploruar jugun e vendit këtë sezon, tërhequr nga bregdeti, mikpritja dhe kuzhina tradicionale shqiptare.
Karina, një vizitore nga Estonia, tregoi për eksperiencën e saj në Shqipëri, ku udhëtoi së bashku me shoqet e saj në disa prej qyteteve kryesore turistike. Ajo tha se udhëtimi nisi në Tiranë, për të vazhduar në Durrës, Vlorë, Sarandë dhe Gjirokastër.
“Qyteti që më pëlqeu më shumë ishte Vlora – aty hëngra ushqim shumë të mirë dhe qyteti ishte vërtet i bukur,” – u shpreh Karina.
Ndërsa për Sarandën, ajo tha se ishte “i zhurmshëm dhe jo shumë i përshtatshëm për pushime të qeta”.
Përshtypjet më të mira turistja i ruan për Gjirokastrën, një qytet që e përshkroi si historik, i qetë dhe mikpritës. Ajo i dha Gjirokastrës 8 nga 10 pikë, duke e cilësuar si një nga vendet që do t’i rekomandonte miqve të saj.
Statistikat: rritje me 35% e turistëve të huaj në Shqipëri
Sipas të dhënave të INSTAT, në katër muajt e parë të vitit 2025, Shqipëria është vizituar nga mbi 3.4 milionë turistë të huaj, duke shënuar një rritje prej 35% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Edhe pse në numër më të vogël se vizitorët nga rajoni, turistët nga Estonia kanë shënuar një rritje të ndjeshme me mbi 20% më shumë krahasuar me vitin 2023.
Problematikat që kërkojnë vëmendje
Pavarësisht përvojës së bukur, Karina vuri në dukje edhe disa problematika:
“Vura re shumë qen dhe kafshë në rrugë, gjë që për mua përfaqëson një mungesë përkujdesjeje. Trafiku i rënduar dhe mbeturinat në disa zona gjithashtu më lanë një përshtypje jo të mirë.”
Megjithatë, ajo shton se Shqipëria është në rrugën e duhur drejt zhvillimit turistik dhe se përvoja e saj ishte pozitive, me shumë momente të paharrueshme.
Vjola Murati është spikere dhe gazetare në Blu Televizion, me një formim akademik në Shkenca Sociale dhe Komunikim nga Universiteti i Tiranës. Ajo sjell në ekran profesionalizëm, ndjeshmëri dhe përkushtim ndaj realitetit të komunitetit vendas.
Komente