Shqipëria përballë krizave klimatike pa një sistem të besueshëm paralajmërimi

Shqipëria përballë krizave klimatike pa një sistem të besueshëm paralajmërimi

Përmbytjet masive në Shkodër në dhjetor 2010 dhe më vonë në fundvitin 2024 në Vlorë janë vetëm disa nga shembujt dramatikë që tregojnë se Shqipëria tashmë po përballet me pasojat e krizës klimatike – një realitet i prekshëm dhe i përsëritur.

Nga stuhitë e fuqishme te thatësirat ekstreme dhe luhatjet e temperaturave, fenomenet e motit të egër janë shpeshtuar dhe po ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Por përballë këtyre sfidave, vendi ynë nuk disponon ende një sistem të integruar e funksional paralajmërimi meteorologjik dhe hidrologjik.

Sipas të dhënave nga Banka Botërore, 95% e bashkive shqiptare janë prekur nga fatkeqësi natyrore si përmbytjet, zjarret, tërmetet apo rrëshqitjet e dheut në 20 vitet e fundit. Por ndërkohë, sipas Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO), rrjeti i vendmatjeve meteorologjike është tkurrur nga 116 në vitin 2014 në vetëm 95 stacione në vitin 2025.

Pajisjet moderne, edhe pse të financuara nga partnerë ndërkombëtarë, shpesh janë jashtë standardeve të mirëmbajtjes dhe përdorimit. Shumica e stacioneve mbeten manuale dhe japin të dhëna vetëm një herë në ditë – një frekuencë e pamjaftueshme për të parandaluar tragjeditë.

Ekspertët Kristi Bashmili dhe Prof. Dr. Petrit Zorba paralajmërojnë se mungesa e të dhënave të besueshme në kohë reale, bashkë me fragmentaritetin institucional, përbëjnë një rrezik serioz për menaxhimin e situatave emergjente.

Zorba thekson se edhe kur pajisjet janë moderne, mungesa e standardit të përdorimit dhe vendosjes korrekte teknike sjell të dhëna të pasakta që mund të dëmtojnë vendimmarrjen. Ai jep shembullin e 24 stacioneve të ngritura nga KESH që, pavarësisht rregullsisë, kanë mangësi në mirëmbajtje dhe përdorim.

Sipas tij, një stacion i vendosur gabimisht mund të masë temperatura të rreme ose të raportojë borë në muajt e verës.

E njëjta situatë përkeqësuese vlen edhe për sektorët e bujqësisë dhe aviacionit civil. Në tërësi, sistemi meteorologjik në vend konsiderohet i dobët në infrastrukturë, digjitalizim dhe burime njerëzore.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ngritur gjithashtu shqetësime për “Planin Kombëtar për Përshtatjen ndaj Ndryshimeve Klimatike”, i cili vazhdon të mbetet pa një metodologji zyrtare monitorimi dhe vlerësimi.

Në një kohë kur ndryshimet klimatike po prekin çdo aspekt të jetës, nevoja për një sistem paralajmërimi të integruar, të saktë dhe të mirëmenaxhuar nuk ka qenë kurrë më urgjente. Shqipëria ka nevojë për një qasje të koordinuar dhe investime të qëndrueshme për të përballuar sfidat klimatike që tashmë janë këtu.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-