Shqipëria vijon të përballet me zjarre masive edhe këtë të shtunë, teksa temperaturat e larta të ditëve të fundit kanë favorizuar përhapjen e flakëve. Sipas autoriteteve, në vend janë aktualisht 7 vatra aktive brenda 24 orëve të fundit.
Situata më problematike shënohet në fshatin Livinë, Finiq, ku zjarri i nisur disa ditë më parë në fshatin Dhivër ka avancuar duke rrezikuar banesat. Falë ndërhyrjes së shpejtë nga toka dhe nga ajri, rreziku për shtëpitë është shmangur.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, një helikopter dhe një avion kanë hedhur ujë mbi zonën e banuar, ndërsa era e fortë ka vështirësuar punën e ekipeve zjarrfikëse. Banorët e fshatit janë grumbulluar në qendër, teksa kjo është dita e pestë e përballjes me flakët në zonën e Finiqit.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente