Gazetari Neritan Sejamini në emisionin “Thjesht” në A2 CNN ka analizuar një ndër tendencat më shqetësuese për të ardhmen e vendit: tkurrjen e pandalshme të popullsisë shqiptare. Sipas të dhënave të prezantuara, Shqipëria ka humbur rreth 39 mijë banorë në vetëm 19 muaj, nga nisja e Censit 2023 e deri në janar 2025.
Në tetor të vitit 2023, vendi kishte 2.402.000 banorë, ndërsa më 1 janar 2025 kjo shifër ka rënë në 2.366.000, duke reflektuar një ulje prej 1.6% të popullsisë në vetëm 14 muaj – një nga rëniet më të larta vjetore në shkallë globale.
Sejamini vlerëson se kjo rënie nuk është e izoluar, por vazhdon trendin e largimit dhe plakjes së popullsisë që ka nisur që prej vitit 1991. Alarmi vjen jo vetëm nga shifrat e emigrimit, por edhe nga tkurrja e strukturës familjare. Nga një mesatare prej 5.7 anëtarësh për familje në vitin 1923, sot familja shqiptare përbëhet mesatarisht nga 3.2 persona, dhe gati 29% e familjeve përbëhen nga vetëm dy persona, kryesisht çifte pa fëmijë.
Fenomeni i largimit masiv dhe rënia e lindshmërisë po ndryshojnë rrënjësisht strukturën demografike të vendit, duke ngritur shqetësime serioze për të ardhmen ekonomike, sociale dhe kulturore të Shqipërisë.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente