Për shumë të huaj, Shqipëria është një vend i bukur, ekonomik dhe me potencial të madh për turizëm e biznes.
E përkryer për të bërë një pushim me kosto të ulët në bregdetin e Jonit, për të marrë një apartament mujor me qira, e më pas për të kaluar në Greqi. Ose për të zgjatur pensionin duke jetuar mes freskisë së prodhimeve lokale dhe rërës së ngrohtë për 3-6 muaj në vit.
Disa shkojnë më tej. Marrin tokë, hapin bujtina, agjenci turistike, biznese sezonale.
Dhe nga jashtë, Shqipëria duket si një vend që të mirëpret me duar hapur për çdo iniciativë.
Por si dikush që ka jetuar në Shqipëri dhe tani udhëton nëpër Ballkan, më duhet të them që shfaqja nuk është gjithmonë ajo që duket.
Sot jemi në vitin 2025.
Çmimet janë rritur.
Jetesa është bërë më e shtrenjtë.
Por fluksi i të huajve nuk ndalet – as bizneset, as oportunitetet. Dhe me to, rritet edhe përgjegjësia.
Turistë nga Shqipëria: “E shtrenjtë dhe pa përmbajtje”
Aktualisht ndodhem në Maqedoni, ku kam takuar dhjetëra turistë që sapo kanë ardhur nga Shqipëria.
Pyeta për përshtypjet. Përgjigjet ishin thuajse identike:
“Çmime të larta pa shërbim.”
“Pastrimi zero.”
“Guida që nuk na tregojnë asgjë për vendin.”
Në fillim u ndjeva e befasuar. Më pas, e shqetësuar.
Shqipëria ka shumë për të ofruar – por kur fytyra e turizmit bëhet një biznes i huaj që nuk flet për historinë, kulturën, zakonet apo problemet atëherë turizmi nuk është më dialog.
Është thjesht shitje. Dhe për më keq, një shitje pa respekt për vendin ku po ndodh.
Të huajt në Shqipëri: ambasadorë apo shfrytëzues?
Nëse je i huaj që ke zgjedhur të jetosh dhe të punosh në Shqipëri – je automatikisht një ambasador i padukshëm i saj.
Nuk mund të ndërtosh një biznes që shet Shqipërinë dhe njëkohësisht të mos e njohësh ose kuptosh thellësisht atë.
Në këtë lojë, PR-i nuk është detyra e qeverisë. Është i joti.
Turistët që largohen të zhgënjyer nuk flasin për ministrin e turizmit – flasin për ty, për eksperiencën që u dhe për pamjen që ju dhe vendit.
Dhe fjala e gojës? Është virale.
“Mos bëj bamirësi në një vend të huaj, nëse s’e ke bërë në vendin tënd”
Kjo shprehje më ndjek shpesh, edhe kur bëhet fjalë për biznes.
Sepse një njeri që shfrytëzon tokën, peizazhin dhe kulturën e një vendi të huaj pa reflektim, pa kthim mbrapa, pa ndjeshmëri – nuk është zhvillim. Është konsum.
Shqipëria është e bukur – por nuk është për të gjithë.
Është për ata që janë gati të kuptojnë thellësinë e saj, kompleksitetin, kulturën, dhe që e respektojnë këtë para se të ndërtojnë interesin personal.
Komente