Shqipëria duhet të investojë 9.8 miliardë dollarë deri në vitin 2036 për të zbutur efektet e ndryshimeve klimaterike, sipas një vlerësimi të bërë nga Ministria e Mjedisit, e cila ka hartuar dhe shpallur për konsultim publik projektvendimin “Për miratimin e Planit Kombëtar për Përshtatjen ndaj Ndryshimeve Klimatike 2026-2036”.
Sipas përllogaritjeve, sektori i zhvillimit urban ka koston më të lartë, i ndjekur nga sektori i pyjeve dhe transportit. Ndërkohë, turizmi ka koston më të ulët.
“Shqipëria, për shkak të pozicionit të saj bregdetar dhe rrethanave socio-ekonomike, është veçanërisht e ekspozuar ndaj rreziqeve klimatike. Parashikimet tregojnë për rritje të vazhdueshme të temperaturave dhe shtim të fenomeneve ekstreme të motit, duke rritur gjithashtu rrezikun nga përmbytjet dhe zjarret,” tha Ministria e Mjedisit.
Plani përfshin pesë sektorë kryesorë: Bujqësi dhe Pyje, Zhvillim Urban, Turizëm, Energji dhe Transport, me synimin për të minimizuar ndikimet e ndryshimeve klimatike dhe për të mbështetur përpjekjet për përshtatjen afatmesme dhe afatgjatë.
Ministria theksoi se ky projekt kontribuon në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke përfshirë përshtatjen e legjislacionit të vendit me kërkesat e BE-së për klimën dhe energjinë.
Shqipëria rrezikon të humbasë rreth 15.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2028 si pasojë e pasojave të ndryshimeve klimatike, duke përfshirë përmbytjet dhe zjarret që ndikojnë në sektorët bujqësor dhe energjitik.
Komente