Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka nisur zbatimin e projektit strategjik “MATHERNA”, një program i rëndësishëm i bashkëpunimit me Qeverinë Italiane që synon transformimin e kujdesit për nënat dhe të porsalindurit në Shqipëri. Projekti mbështetet me një financim prej gjashtë milionë eurosh dhe përfshin ekspertizën tekniko shkencore të ASST Fatebenefratelli Sacco.
Ministrja Evis Sala theksoi se përmirësimi i shërbimeve në periudhën neonatale është një hap thelbësor drejt rritjes së cilësisë së shërbimit shëndetësor dhe drejt afrimit me standardet europiane. Ajo tha se MATHERNA do të ndikojë drejtpërdrejt tek familjet e reja dhe tek shëndeti i brezave të ardhshëm.
Ambasadori i Italisë, Marco Alberti, u shpreh se ky projekt është pjesë e prioriteteve të bashkëpunimit dypalësh dhe se kontribuon me dije të avancuara klinike nga struktura të specializuara të Rajonit Lombardia.
Drejtoresha e AICS në Tiranë, Letizia Fischioni, nënvizoi se Italia prej vitesh mbështet Shqipërinë për rritjen e kapaciteteve shëndetësore dhe se projekti MATHERNA është vazhdimësi e kësaj tradite.
Sipas drejtueses së ASST Fatebenefratelli Sacco, Maria Grazia Colombo, projekti do të zbatohet në dy spitale universitare dhe tre rajonale. Ai përfshin ngritjen e njësive të reja të terapisë intensive neonatale, pajisjen me teknologji moderne dhe harmonizimin e protokolleve klinike në nivel kombëtar.
Nisma është në përputhje të plotë me strategjitë afatgjata të qeverisë shqiptare për uljen e mortalitetit neonatal dhe maternal, një synim kyç për afrim me standardet e Bashkimit Europian.
Komente