Prej 30 vitesh, në një cep të Vlorës, Shpresa Qerimi kalon ditët mes gomave, ingranazheve dhe zhurmës së zinxhirëve. Ajo është e vetmja grua riparuese biçikletash në qytet – një profesion që shpesh shihet si “botë burrash”, por për të është jeta vetë.
Dy vite më parë, Shpresa humbi bashkëshortin, njeriun me të cilin kishte ndarë punën dhe jetën. “Kur vinin në fillim klientët dhe nuk shikonin burrin, habiteshin, hezitonin të ma besonin biçikletën,” – rrëfen ajo me një buzëqeshje të lehtë. “Tani kam fituar klientelën time. Më besojnë pa hezitim.”
Nga ora 7 e mëngjesit deri në 7 të mbrëmjes, ajo punon 12 orë në ditë. Nuk ka fëmijë, por nuk e ndien boshllëkun – punishtja është shtëpia e saj dhe biçikletat janë “fëmijët” e saj. I prek me kujdes, i pastron dhe i rregullon sikur të donte t’u jepte pak nga forca e saj.
Në një kohë kur shumë profesione po zhduken ose po zëvendësohen nga teknologjia, Shpresa është dëshmi e pasionit dhe këmbënguljes. Punishtja e saj nuk është vetëm një vend për të riparuar biçikleta, por edhe një hapësirë ku çdo klient largohet jo vetëm me një mjet gati për rrugë, por edhe me një histori për të treguar.
Adriatik Golemaj, Drejtor Ekzekutiv i televizionit, ka 28 vite përvojë në media lokale dhe ndërkombëtare. Ka punuar si gazetar, redaktor dhe prezantues, si dhe si ndërmjetës për organizata mediatike të huaja. Ka drejtuar projekte komunikimi me publikun dhe median për kompani ndërkombëtare. Në rolin e tij aktual, ai garanton funksionimin e televizionit dhe përfaqëson institucionin në bashkëpunime strategjike.
Komente