Qyteti bregdetar i Sarandës u trondit gjatë mesnatës së 21 korrikut nga një shpërthim i fuqishëm me tritol. Shpërthimi, i cili ndodhi rreth orës 23:50 në lagjen nr. 3, hodhi në erë një automjet të parkuar, i cili u përpirë plotësisht nga flakët. Dëmi material ishte i madh, ndërsa dhjetëra banorë dhe turistë të zonës u tronditën dhe dolën nga banesat pas shpërthimit të fortë.
Policia e Sarandës konfirmoi se nuk ka raporte për të lënduar pasi automjeti ishte i parkuar pranë një pallati dhe nuk kishte asnjë person brenda në momentin e shpërthimit. Sipas hetimeve, hakmarrja duket se ka qenë motivi i këtij sulmi pasi automjeti i shpërthyer ishte në pronësi të 31-vjeçarit Klaus Jaçaj, i shpallur në kërkim vetëm 4 ditë më parë për përkrahje të autorëve të një krimi.
Jaçaj dyshohet të ketë ndihmuar dy autorët e krimit Ramadan dhe Erjon Canaj të cilët janë akuzuar për plagosjen me armë të dy të rinjve pas një sherri për pronën në bregdet.
Policia e Sarandës ka njoftuar se hetimet janë në vazhdim dhe grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ndërkohë, autoritetet janë angazhuar për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në këtë akt të dhunshëm.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente