Tiranë, 12 qershor – Ministria e Bujqësisë ka konfirmuar praninë e murtajës së ruminantëve të vegjël në territorin e Shqipërisë, me katër vatra të shpërthyera dhe një numër të konsiderueshëm bagëtish të prekura. Sipas njoftimit zyrtar, janë raportuar 716 raste të kafshëve të prekura, nga të cilat 25 krerë kanë ngordhur dhe 153 janë eliminuar në kuadër të masave kontrolluese, ndërsa procesi i eliminimit vazhdon.
Sëmundja, e njohur për ngjitshmërinë e lartë dhe shkallën e lartë të ngordhshmërisë (deri në 100% të tufës), konsiderohet si një rrezik serioz për sektorin blegtoral, megjithatë autoritetet sqarojnë se ajo nuk përbën rrezik për shëndetin e njeriut dhe nuk transmetohet te njerëzit.
Masat emergjente dhe ndalimi i tregtimit
Ministria e Bujqësisë ka njoftuar se rasti i parë i konfirmuar u regjistrua më 4 qershor 2025, në fshatin Domen, njësia administrative Postribë, në qarkun e Shkodrës. Duke marrë parasysh përhapjen e shpejtë dhe rrezikun për përhapje të mëtejshme, prej datës 9 qershor ka hyrë në fuqi një urdhër i posaçëm për ndalimin e përkohshëm të lëvizjes së dhenve dhe dhive të gjalla në gjithë territorin e vendit.
Po ashtu, është ndaluar përkohësisht tregtimi i këtyre kafshëve në tregjet e kafshëve të gjalla, panaire, mjedise të hapura dhe çdo lloj grumbullimi tjetër që përfshin bagëti.
Ministria u bën thirrje blegtorëve dhe qytetarëve të respektojnë masat e vendosura dhe të bashkëpunojnë me autoritetet veterinare për identifikimin dhe kontrollin e rasteve të dyshuara, me qëllim parandalimin e përhapjes së mëtejshme të sëmundjes.
Komente