Shoqëria Civile në Zemrën e Demokracisë

Shoqëria Civile në Zemrën e Demokracisë

“ Vlera që Frymëzojnë, Zëra që Ndryshojnë”

Në një vend ku shpesh zërat e qytetarëve zëvendësohen nga heshtja, dhe nevojat komunitare mbesin në margjinat e vendimmarrjes, Java e Shoqërisë Civile 2025 rikthehet si një fener i domosdoshëm për të rikujtuar se demokracia nuk ndërtohet vetëm me institucione por me njerëz të angazhuar, me shoqëri që vepron.

Nga data 16 deri më 22 qershor 2025, për të katërtin vit radhazi, kjo javë do të bëhet arenë e vizionit, përkushtimit dhe fuqisë transformuese që organizatat e shoqërisë civile sjellin çdo ditë në shoqëri, në mbrojtjen e të drejtave, në fuqizimin e të margjinalizuarve, në përballjen me padrejtësinë, në kujdesin për të pambrojturit dhe në ndërtimin e një kulture qytetare që ka zë, që ka frymë, që ka rrënjë.

Vlora ka nevojë për këtë më shumë se kurrë sepse
Vlora, qyteti simbol i pavarësisë dhe qytetarisë, sot gjendet përballë sfidave të shumta urbane, sociale, arsimore dhe kulturore duke filluar nga mungesa e infrastrukturës publike sic jane plazhet publike, indiferenca ndaj trashëgimisë kulturore,
ndotja mjedisore e cila eshte bere nje mallkim i pervitshem per kete qytet, humbja e frymës qytetare që dikur e bënte këtë qytet një model dhe mungesa e nje arsimi elitar.

Shoqëria civile në Vlorë ka qenë shpesh zëri i ndërgjegjes, i kujtesës dhe i vizionit përtej ditës dhe kjo javë është një mundësi për ta forcuar këtë zë.
Për ta bërë më të organizuar, më të dukshëm dhe më me ndikim.
Për të ndërtuar ura mes komunitetit dhe institucioneve lokale.
Për të rikthyer respektin për qytetin, për qytetarinë dhe për pasurinë kulturore që rrezikon të mbetet vetëm një kujtim.

Shoqëria Civile në Veprim, Vlera që Frymëzojnë, Zëra që Ndryshojnë” nuk është vetëm një slogan.
Është një thirrje. Një apel i heshtur që kërkon guxim për t’u kthyer në realitet të përditshëm. Në çdo qytet, lagje, shkollë, zonë rurale, ka individë dhe organizata që punojnë në terren pa bujë, shpesh pa mbështetje të qëndrueshme, por me ideal të fortë dhe qëllim të qartë, të bëjnë një Shqipëri më të drejtë, më të barabartë, më të ndërgjegjshme.

Sepse Shoqëria civile nuk është një sektor abstrakt, por është pasqyra më e ndershme e nevojave të shoqërisë, organizatat që mbrojnë të drejtat e grave, të fëmijëve, personave me aftësi ndryshe, mjedisin, arsimin, të rinjtë, barazinë, transparencën, trashëgiminë kulturore apo të drejtat e punëtorëve. Ato janë atje, pa buje, ku shteti mungon, ku struktura dështon, ku institucionet heshtin.

Java e Shoqërisë Civile është më shumë se festë , është provë morale për vendin dhe institucionet. Dhe natyrshem lindin pyetjet.
• A e mbështesim realisht pjesëmarrjen qytetare?
• A u japim hapësirë zërave të vërtetë?
• A e kuptojmë se një vend nuk zhvillohet me propagandë, por me bashkëpunim mes qytetarisë aktive dhe institucioneve përgjegjëse?

Për kë është kjo javë? Dhe pergjigjja eshte,
Për të gjithë.

Për organizatat që punojnë në terren, për të rinjtë që nuk pajtohen me korrupsionin e heshtur, për gratë që duan barazi reale, për qytetarët që nuk pranojnë padrejtësinë si normalitet, për studentët që kërkojnë arsim cilësor, për komunitetet që kërkojnë të mos mbesin jashtë zhvillimit.
Ndaj mos qendroni spektator. Bëni zërin tuaj të dëgjohet.Në fund, gjithçka nis me një veprim të vogël.

Ne kuadër të Javës së Shoqërisë Civile 2025, një nga mesazhet më të forta që duhet të dëgjohet me zë të lartë është pikërisht zëri i tokës, që në 17 qershor ngre alarmin global për shkretetirezimin dhe thatesiren.
Ndaj, Në një kohë kur apatia kërcënon të zëvendësojë ndërgjegjen kolektive, kjo javë na kujton se edhe ndryshimi ka nevojë për strehë. Dhe ajo strehë janë njerëzit që nuk dorëzohen.
Sepse kur shoqëria civile hesht, zëra të tjerë e zëvendësojnë.
Zëra që shpesh nuk përfaqësojnë as vlerat, as njerëzit.
Ndaj, le ta bëjmë këtë javë një moment frymëzimi.
Jo vetëm për një herë në vit por për çdo ditë, në çdo hap, kudo , vecanerisht në Vlorë.

Marieta Merkuri

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-