Shoqata Rajonale e Futbollit Tiranë ka zhvilluar këtë të martë Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore, ku fillimisht është konfirmuar në detyrë kryetari aktual Krenar Alimehmeti, i cili do të vijojë drejtimin e shoqatës për një mandat të dytë.
Gjatë punimeve të asamblesë, një nga pikat kryesore të rendit të ditës ishte edhe propozimi i kandidaturave për zgjedhjet e ardhshme në Federatën Shqiptare të Futbollit, të cilat pritet të mbahen brenda këtij viti. Nga 45 anëtarë të pranishëm, nga gjithsej 77 që ka shoqata, u miratua unanimisht propozimi që Armand Duka, presidenti aktual i FSHF-së, të kandidojë për një tjetër mandat në krye të federatës.
Po ashtu, asambleja ka votuar edhe kandidaturën e Lutfi Nuriut si përfaqësues për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Deri në këtë fazë, nuk ka asnjë informacion për kandidatura rivale ndaj Armand Dukës, ndryshe nga proceset e mëparshme zgjedhore që janë shoqëruar me gara dhe kontestime. Në vijim, pritet që Federata Shqiptare e Futbollit të caktojë datën zyrtare të zgjedhjeve, të cilat do të zhvillohen brenda këtij viti.
Komente