Shkodër – Asgjësohen mbi 12 mijë bimë kanabis, procedohen penalisht katër zyrtarë

Shkodër – Asgjësohen mbi 12 mijë bimë kanabis, procedohen penalisht katër zyrtarë

Policia e Shkodrës ka goditur një tjetër rast të kultivimit të paligjshëm të bimëve narkotike në territorin e qarkut. Në përfundim të një operacioni të gjerë, janë identifikuar dhe asgjësuar gjithsej 12,203 bimë dhe fidanë kanabisi, të mbjella në zona të ndryshme të thella.

Sipas njoftimit zyrtar, në njësinë administrative Pult, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër zbuluan dhe shkatërruan 455 bimë narkotike, ndërsa ndaj inxhinierit të pyjeve, A. M., ka nisur procedimi penal për shpërdorim detyre dhe moskallëzim krimi.

Ndërkohë, një tjetër rast u evidentua në njësinë administrative Temal, në bashkinë Vau i Dejës, ku u gjetën dhe u asgjësuan 11,748 bimë narkotike.

Për këtë rast janë proceduar në gjendje të lirë:

Kryeplaku i fshatit Kllogjen, Gj. G., për shpërdorim detyre;

Dy vrojtues pyjesh, shtetasit P. Sh. dhe F. G., për shpërdorim detyre.

Policia bën me dije se operacionet për kontrollin e territorit do të vijojnë, ndërkohë që janë në proces hetimet për identifikimin dhe ndjekjen penale të personave përgjegjës për kultivimin.

Lajmi nga: Armand Xhelili
Armand Xhelili

Armand Xhelili

Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.

Komente

-