Shitja e Bulmetit me Kupon - Tregtarët Kërkojnë Kushte Jo Vetëm Penalitete

Shitja e Bulmetit me Kupon - Tregtarët Kërkojnë Kushte Jo Vetëm Penalitete

Nisma e re për shitjen e bulmetit me kupon tatimor ka ndezur një seri debatash mes tregtarëve të tregjeve të hapura, të cilët shprehen të gatshëm të respektojnë ligjin dhe të formalizohen, por theksojnë se mungojnë kushtet minimale për të ushtruar aktivitetin në mënyrë të sigurt dhe dinjitoze.

Në shumë tregje të qytetit, veçanërisht në zonat periferike, tezgat që shesin bulmet janë ende të vendosura në kushte të improvizuara. Pa ambiente frigoriferike, pa tavolina higjienike dhe shpesh të ekspozuara ndaj pluhurit dhe nxehtësisë, këto kushte e bëjnë të vështirë për tregtarët të sigurojnë cilësinë dhe sigurinë e produkteve që shesin. Me temperaturat që kalojnë 35 gradë Celsius, sfida për ruajtjen e qumështit, djathit dhe produkteve të tjera të ndjeshme bëhet shumë e madhe. Pa kushte të duhura, këto produkte rrezikojnë të prishen dhe të bëhen të rrezikshme për konsum.

"Ne jemi të gatshëm të respektojmë ligjin, por duhet të kemi kushte për të operuar. Pa frigoriferë, pa tavolina higjienike, është e pamundur të ruajmë cilësinë dhe sigurinë e produkteve", thonë tregtarët.

Sipas specialistëve të sigurisë ushqimore, mungesa e kushteve të duhura në tregjet e hapura rrit ndjeshëm rrezikun për konsumatorët. Bulmeti është një nga produktet më të ndjeshme ndaj temperaturës dhe ndotjes, dhe çdo shkelje e kushteve të ruajtjes mund të sjellë pasoja të rënda shëndetësore.

"Mungesa e kushteve për ruajtjen e produkteve të bulmetit është një rrezik serioz për konsumatorin. Cdo iniciativë për formalizim duhet të shoqërohet me ndërhyrje të vërteta për përmirësimin e kushteve në tregje, dhe jo vetëm me masa ndëshkuese", shpjegon një ekspert i sigurisë ushqimore.

Tregtarët kërkojnë që institucionet përkatëse të mos e shohin nismën vetëm nga këndvështrimi fiskal, por të përfshijnë edhe aspektet e shëndetit publik dhe sigurisë ushqimore, si dhe të ofrojnë mbështetje për bizneset e vogla që janë më të prekura nga këto ndryshime.

Nëse nisma për shitjen e bulmetit me kupon tatimor ka për qëllim të sigurojë transparencë dhe cilësi për konsumatorët, atëherë duhet të fillojë nga garantimi i kushteve minimale për tregtarët. Pa këtë, nisma mund të kthehet në një barrë për ata që tashmë po luftojnë për të mbajtur aktivitetin e tyre në funksion, pa ofruar as cilësi, as siguri.

Lajmi nga: Adriatik Golemaj
Adriatik Golemaj

Adriatik Golemaj

Adriatik Golemaj, Drejtor Ekzekutiv i televizionit, ka 28 vite përvojë në media lokale dhe ndërkombëtare. Ka punuar si gazetar, redaktor dhe prezantues, si dhe si ndërmjetës për organizata mediatike të huaja. Ka drejtuar projekte komunikimi me publikun dhe median për kompani ndërkombëtare. Në rolin e tij aktual, ai garanton funksionimin e televizionit dhe përfaqëson institucionin në bashkëpunime strategjike.

Komente

-