Nga Carmela Pagliuca
Është kënaqësi të shëtisësh në Boulevard dhe të shohësh sërish në funksion shatërvanin në sheshin përballë Flamurtarit. Pas disa muajsh heshtjeje, shatërvani në sheshin përballë Flamurtarit është rikthyer sërish duke i dhënë jetë dhe ngjyra një prej hapësirave më të dashura të qytetit. Për shumë qytetarë dhe vizitorë pamja e pikave të ujit që ngrihen në ajër mes dritave e muzikës është një kujtim i bukur, i cili tani ka marrë formë sërish.
Shatërvani kishte dalë jashtë funksionit për shkak të një defekti në motor por falë ndërhyrjes së mundësuar nga sponsorizimi i një subjekti privat motori u zëvendësua dhe sistemi u rikthye në gjendje optimale. Ky gjest ka sjellë jo vetëm restaurimin e një pajisjeje por edhe rikthimin e një atmosfere të gjallë që sheshi kishte humbur prej kohësh.
Rikthimi në funksion ka sjellë gjallëri në shesh i cili është mbushur me fëmijë që luajnë me pikat e ujit, ndjekin njëri-tjetrin dhe me nëna krenare që shohin vogëlushët e tyre të përjetojnë emocione të reja.
Komente