Vlora po përjeton një rritje të ndjeshme të interesit për blerjen dhe investimin në prona, ndërsa sezoni turistik është në kulmin e tij. Me bregdetin e saj të mrekullueshëm, infrastrukturën që po zhvillohet me ritme të shpejta dhe fluksin gjithnjë e më të madh të turistëve vendas e të huaj, qyteti është shndërruar në një prej destinacioneve më të kërkuara në jug të Shqipërisë.
Agjentët imobiliarë raportojnë se kërkesa është rritur ndjeshëm, veçanërisht për apartamente me pamje nga deti dhe prona pranë vijës bregdetare. Interesi vjen jo vetëm nga të huajt – kryesisht nga Italia dhe vende të tjera europiane – por edhe nga shqiptarët që jetojnë në diasporë.
“Të huajt po shtohen, por padyshim vendin kryesor e zënë shqiptarët e diasporës. Kërkesa më e madhe është për apartamente dhe prona në bregdet ose pranë bulevardit kryesor. Ky trend ka sjellë rritje të çmimeve dhe të cilësisë së ndërtimit”, – shprehet agjenti imobiliar Qemal Hoxhaj.
Sipas tij, investitorët e shohin Vlorën si një mundësi të dyfishtë: sigurimin e të ardhurave nga qiratë sezonale dhe garantimin e një vlerësimi të qëndrueshëm të pronës në kohë.
Ndërsa Vlora vijon të tërheqë vizitorë dhe investime, tregu i pasurive të paluajtshme pritet të mbetet i gjallë edhe pas mbylljes së sezonit turistik.
Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.
Komente