Sezoni turistik 2025 – Policia e Shtetit me plan të ri masash për sigurinë në bregdet dhe kufi

Sezoni turistik 2025 – Policia e Shtetit me plan të ri masash për sigurinë në bregdet dhe kufi

Policia e Shtetit ka prezantuar një plan të detajuar masash për mbarëvajtjen e sezonit turistik veror 2025, duke synuar garantimin e rendit dhe sigurisë publike në zonat turistike, kufijtë dhe rrugët kryesore të vendit.

Sipas njoftimit zyrtar, këtë vit do të aplikohet një shërbim 12-orësh policor vetëm në zonat bregdetare, ku do të dislokohen efektivë shtesë për të përballuar fluksin e turistëve. Gjithashtu, janë vënë në dispozicion automjete dhe motomjete shtesë, efektivë me biçikleta në plazhe, si dhe dronë për kontrollin e perimetrit të sigurisë dhe ndëshkimin e shkeljeve rrugore.

Njësia Policore Detare do të monitorojë lundrimet për të parandaluar hyrjet në zonat e ndaluara dhe për të ndëshkuar shkelësit. Policia Kufitare, ndërkohë, ka shtuar sportelet dhe burimet njerëzore në pikat kufitare për të menaxhuar flukset hyrëse dhe dalëse, si dhe do të intensifikojë kontrollet në kufirin e gjelbër dhe blu për të parandaluar kalimet e paligjshme.

Policia Rrugore do të angazhohet 24/7 në akset kombëtare dhe në qendrat urbane me dronë, radarë dhe pajisje inteligjente, për të parandaluar aksidentet dhe për të monitoruar trafikun. Nga 16 qershori deri më 15 shtator, do të kufizohet lëvizja e mjeteve të rënda të transportit në fundjavë dhe në ditët e pushimit zyrtar.

Në bashkëpunim me agjencitë turistike, autoritetet vendore, vrojtuesit e plazheve, emergjencat dhe zjarrfikësit, strukturat e Policisë po ndjekin gjithashtu operacionin “Plazh i Lirë”, për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme.

Policia do të kontrollojë edhe respektimin e orarit të muzikës në zonat turistike, ndërsa efektivët janë pajisur me aparate për matjen e nivelit të zhurmës.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar ngritjen e grupeve monitoruese për zbatimin e Kodit të Etikës nga çdo punonjës policie në terren, për një komunikim korrekt dhe shërbim cilësor ndaj qytetarëve dhe turistëve.

Lajmi nga: Ariola Hasanaj
Ariola Hasanaj

Ariola Hasanaj

Ariola është një gazetare e re dhe energjike në ekipin e Blu TV, e njohur për qasjen e saj dinamike ndaj lajmit dhe pasionin për gazetarinë terreni. Ajo sjell një zë të freskët dhe angazhim të vazhdueshëm në pasqyrimin e problematikave sociale dhe zhvillimeve aktuale, duke qenë afër komunitetit dhe duke raportuar me saktësi e profesionalizëm.

Komente

-