Serbët festojnë Vidovdanin – Policia e Kosovës me plan masash: Manifestoni të qetë, pa provokime

Serbët festojnë Vidovdanin – Policia e Kosovës me plan masash: Manifestoni të qetë, pa provokime

KOSOVË – Në prag të festimeve të Vidovdanit, Policia e Kosovës ka bërë thirrje për manifestim të qetë dhe pa provokime, ndërsa ka hartuar një plan të plotë operativ sigurie, që synon mbarëvajtjen e aktivitetit pa incidente.

“Janë paraparë masa të nevojshme planifikuese, koordinuese, parandaluese dhe operative në të gjitha rajonet dhe departamentet policore, në mënyrë që manifestimet të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe të sigurt”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Kosovës.

Policia ka bërë apel të drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve dhe pjesëmarrësve për të shmangur çdo provokim dhe për të respektuar ligjin e autoritetet policore që do të jenë të pranishme me njësi të shumta.

“Manifestoni në mënyrë paqësore, shmangni provokimet dhe respektoni udhëzimet e Policisë së Kosovës”, theksohet në deklaratë, ndërsa paralajmërohen edhe bllokime apo devijime të përkohshme të trafikut në disa zona.

Albin Kurti: Serbia po kërkon incidente për të shmangur krizën e brendshme
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ka informacione nga institucionet e sigurisë dhe inteligjencës që tregojnë për tentativa të organizuara nga Serbia për të shkaktuar tensione gjatë manifestimit në Gazimestan.

“Sipas vlerësimeve, janë organizuar grupe nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina që do të vijnë në Gazimestan. Tradicionalisht, këto grupe bartin simbole nacionaliste serbe dhe ruse, që bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe vlerat demokratike evropiane,” deklaroi Kurti.

Festa e Vidovdanit dhe ndjeshmëria historike
Vidovdani, i festuar më 28 qershor, përkujton për serbët Betejën e Kosovës të vitit 1389. Ceremonitë nisin me meshën në Manastirin e Graçanicës, për t’u zhvendosur më pas në kompleksin memorial të Gazimestanit, vetëm pak kilometra nga Prishtina – një vend me ndjeshmëri të lartë politike dhe historike në marrëdhëniet Kosovë–Serbi.

Autoritetet kosovare theksojnë se janë të angazhuara për ruajtjen e rendit dhe sigurisë, duke bërë thirrje për mosshfrytëzim të festës për qëllime politike apo nxitje të urrejtjes ndëretnike.

Lajmi nga: Armand Xhelili
Armand Xhelili

Armand Xhelili

Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.

Komente

-