Një operacion i Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara në Ministrinë e Brendshme, ka çuar në vendosjen e masës së sekuestrimit mbi disa pasuri të shtetasit K. B., alias S. B., 45 vjeç, banues në fshatin Valare të Gjirokastrës.
Sipas autoriteteve, pasuritë e sekuestruara dyshohet se janë përfituar nga veprimtaria kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike. Procedimi pasuror është zhvilluar nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër.
Pasuritë e sekuestruara përfshijnë:
Një lokal bar-kafe dhe hotel katërkatësh, në lagjen “18 Shtatori”, Gjirokastër;
Një ndërtesë dykatëshe me papafingo, me sipërfaqe totale 393.3 m², në fshatin Valare, Gjirokastër;
Një ndërtesë tjetër dykatëshe me sipërfaqe 235 m², në po të njëjtin fshat;
Një truall me sipërfaqe 1216 m² dhe ndërtim (servis makinash) me sipërfaqe 276 m², në lagjen “Grehot”, Gjirokastër;
Një lokal me sipërfaqe 30 m², po në lagjen “Grehot”;
Një automjet tip “Audi Q7”.
Gjithashtu janë sekuestruar dhe 8 automjete të tjera në pronësi të tij dhe të familjarëve, për të cilat po vijojnë kërkimet për lokalizimin dhe bllokimin e tyre.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore. Autoritetet theksojnë se operacione të tilla janë pjesë e përpjekjeve për goditjen e pasurive të përfituara nga veprimtari kriminale dhe forcimin e sundimit të ligjit.
Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.
Komente