Sekretari i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, ka pranuar ftesën e Kryeministrit shqiptar Edi Rama për të vizituar Shqipërinë. Lajmin e bëri të ditur ambasadori i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, Ervin Bushati.
Në një mesazh për median, Bushati theksoi se vizita e Rubio-së është e rëndësishme për dy arsye kryesore:
“Në emër të Kryeministrit Rama e ftova të vizitojë Tiranën, Portën e Ballkanit për Amerikën, sepse Shqipëria sot është një model suksesi diplomatik – nga një diktaturë komuniste e izoluar në Evropë, sot është një vend i përkushtuar ndaj vlerave pro-amerikane dhe anëtarësimit në NATO.”
Ambasadori shtoi gjithashtu:
“E ftova edhe në emër të një kombi të vogël, por me zemër të madhe si ajo e Nënë Terezës, me mesazhin që Shqipëria do të përcjellë në Bashkimin Europian: ‘Më shumë dashuri dhe shërbim me përulësi’.”
Rubio pranoi ftesën me kënaqësi, duke e parë Shqipërinë si një kontribuese të rëndësishme në NATO, veçanërisht pas vizitës së tij të fundit në Hagë.
Ambasadori Bushati përmendi edhe datën simbolike 4 Korrik, duke thënë se kjo nuk është vetëm Dita e Pavarësisë së SHBA-së, por edhe një “Deklaratë e Lirisë dhe Demokracisë për gjithë botën”.
BluTV do të vijojë të raportojë për zhvillimet lidhur me këtë vizitë të rëndësishme diplomatike.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente