Sazani dhe Karaburuni, magnet për turistët këtë verë

Sazani dhe Karaburuni, magnet për turistët këtë verë

Ishulli i Sazanit dhe Gadishulli i Karaburunit po shndërrohen në dy nga destinacionet më të vizituara të kësaj vere, duke tërhequr mijëra turistë vendas dhe të huaj. Bukuritë natyrore, uji i kristaltë, historia dhe peizazhet mbresëlënëse kanë bërë që interesimi për këto zona të rritet ndjeshëm gjatë muajve të fundit.

Sazani, ishulli më i madh në Shqipëri, me një të kaluar të pasur ushtarake dhe natyrë të egër, ofron mundësi të rralla për eksplorim dhe aventura. Vizitorët mund të shijojnë një udhëtim të plotë me guidë, ndërsa plazhet e tij tërheqin gjithnjë e më shumë pushues.

Nga ana tjetër, Parku Kombëtar Detar i Karaburunit ofron një kombinim unik të plazheve të virgjëra, shpellave detare dhe gjelbërimit të dendur. Turistë nga vende si Polonia, Italia, Holanda e deri edhe Izraeli, zgjedhin këtë tur për bukurinë natyrore dhe historinë që e shoqëron.

Çdo ditë, e sidomos gjatë fundjavave, nga porti i Vlorës nisen anije turistike dhe mjete të vogla drejt Sazanit dhe Karaburunit, duke e kthyer këtë udhëtim në një prej tureve më të kërkuara të sezonit.

Lajmi nga: Elton Nika
Media e dytë
Elton Nika

Elton Nika

Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.

Komente

-