Ishulli i Sazanit dhe gadishulli i Karaburunit nuk janë më destinacione të panjohura për turistët, por mbeten ndër më të preferuarat për pushuesit që zgjedhin Shqipërinë. Çdo ditë, vizitorë nga e gjithë Europa dhe më gjerë nisen me mjete lundruese nga Vlora për të eksploruar bukuritë natyrore dhe historinë unike që ofron kjo zonë.
Plazhet e virgjëra, uji i kristaltë dhe gjiret e izoluara e kthejnë Karaburunin në një parajsë për ata që kërkojnë qetësi dhe kontakt me natyrën, ndërsa ishulli i Sazanit mbart një të kaluar të pasur historike dhe ushtarake që tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë kureshtarë.
“Nuk e njihnim Shqipërinë, por tashmë jemi të mahnitur”, – thotë një turist gjerman nga Nurembergu, i cili për herë të parë ka zgjedhur Vlorën. Ai rrëfen se përveç natyrës, atë që e bëri të dashurohet me vendin janë mikpritja, ushqimi dhe pasuria kulturore. “Sazani kishte një histori të çuditshme, por shumë interesante. Nëse do të ndërtohet një resort atje, është mirë për turizmin, por duhet ruajtur edhe natyra”, shton ai.
Dy turiste nga Polonia, që vizitojnë për herë të parë Vlorën, janë po ashtu të impresionuara. “Plazhet janë të bukura, njerëzit shumë të dashur dhe vitin tjetër do të kthehemi me familjen,” shprehen ato, duke nënvizuar potencialin që Shqipëria ka për t’u bërë një destinacion i qëndrueshëm për pushimet verore.
Ndërkohë, janë me qindra shqiptarë që jetojnë jashtë vendit dhe zgjedhin të kthehen çdo vit për të kaluar pushimet në atdhe. Një e re nga Vlora, që studion në Gjermani, tregon se bashkë me të edhe shokët gjermanë janë gjithnjë e më të interesuar për të vizituar Shqipërinë.
Vlora mbetet në qendër të vëmendjes si një prej destinacioneve më tërheqëse në vend, ndërsa Sazani dhe Karaburuni, dikur të panjohur për shumicën e të huajve, tashmë janë shndërruar në perla të kërkuara të turizmit shqiptar.
Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.
Komente