Sarandë – Sistemi i pagesave me kartë bllokohet pas mesnate, një dukuri antituristike

Sarandë – Sistemi i pagesave me kartë bllokohet pas mesnate, një dukuri antituristike

Një fenomen shqetësues është bërë objekt kritikash nga bizneset në Sarandë, ku sipas raportimeve, sistemi i pagesave me kartë elektronike ndalon funksionimin në orën 00:00, për të rifilluar sërish pas një ore, rreth orës 01:00 të mëngjesit.

Një prej biznesmenëve lokalë, që operon në shërbimin ndaj turistëve, e cilëson këtë një dukuri tipike “antituristike”, që dëmton seriozisht përvojën e vizitorëve të huaj. Ai shprehet se turistët – veçanërisht ata nga vendet ku pagesat me kartë janë normë – hasin në pengesa kur duan të kryejnë pagesa në orët e vona.

“Në botë, sistemi i pagesave elektronike është funksional 24 orë në ditë. Tek ne ndalon në mesnatë dhe rifillon pas një ore. Turistët shpesh bezdisen, largohen pa bërë pagesën dhe ndonjëherë nuk kthehen më”, – deklaron ai.

Ky problem është shtuar gjatë sezonit veror, kur aktiviteti në qytet zgjatet natën vonë dhe pagesat janë të shpeshta pas mesnate. Mungesa e funksionalitetit të sistemit ka sjellë jo vetëm pakënaqësi, por edhe humbje të drejtpërdrejta për bizneset.

Nga ana e saj, banka përgjegjëse është shprehur se "po punohet për të zgjidhur situatën", megjithatë, siç thekson biznesmeni, zgjidhja po vonon, njësoj si çështja e furnizimit me ujë 24 orë, që mbetet premtim i pambajtur prej dekadash.

“Është e papranueshme që në një qytet turistik, depozitat e ujit të qëndrojnë në tarraca për 35 vjet dhe pagesat me kartë të ndërpriten çdo natë. Kjo nuk është mikpritje moderne”, – shton ai.

Problemi thekson edhe një herë nevojën për investime serioze në infrastrukturën e shërbimeve publike dhe digjitale, në mënyrë që turizmi në Sarandë të jetë jo vetëm i bukur në natyrë, por edhe i denjë në cilësi.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-